Shkup, riorganizohet kabineti, 5 emra të rinj “kundër krizës”
Qeveria maqedonase do të ketë pesë emra të rinj, pasi krerët e ministrive për Financat, Arsimin, Bujqësinë dhe Integrimin Evropian dhanë dorëheqjen nga postet e tyre. Lajmin e publikoi agjencia maqedonase, Makfax. Sipas deklaratës së një zyrtari maqedonas për Agjencinë “Reuters”, riorganizimi i kabinetit po bëhet me synimin për të luftuar ndikimin e krizës globale financiare. Sipas të dhënave jozyrtare, Ministri i ri i Financave do të jetë zëvendës/kryeministri aktual, Zoran Stavreski. Ministria e Arsimit do të drejtohet nga Nikola Todorov dhe Ministria e Bujqësisë nga Ljupço Dimovski, zëvendësi i tij do të jetë Perica Ivanovski. Vladimir Peshevski do të marrë postin e Zëvendëskryeministrit për Ekonominë, Stavreski dhe Ministër i Integrimit Evropian do të jetë Vasko Naumovski. Gjatë gjithë ditës së djeshme kanë qarkulluar zëra se do të ketë zëvendësime edhe në ministritë e drejtuara nga përfaqësuesit shqiptarë të partisë në koalicionin qeveritar, BDI. Por këto zëra janë kundërshtuar nga partia në fjalë. Ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) do të mbeten në postet e tyre në qeverinë maqedonase. Kështu u shpreh ajo që anëtari i kryesisë së BDI-së, Djevat Ademi. Ademi nuk pranoi të komentonte dorëheqjet në qeveri. “Ne zakonisht nuk japim komente për dorëheqjen. Ky është vendim personal. Ne gjithmonë urojmë më të mirën për ata që largohen”, deklaroi Ademi. Por dje nga qeveria është larguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Stoijan Todorov. Ai ka paraqitur dorëheqjen e tij të mërkurën, sipas një njoftimi për shtyp nga kabineti. Arsyet për dorëheqjen e Todorov nuk janë përmendur. Detyra kryesore e Todorovit ishte menaxhimi i sekretariatit të qeverisë, për të shprehur mendimin dhe të ekspertëve kompetent, për të vlerësuar dhe normat ligjore dhe për të marrë vendime në lidhje me të drejtat, pozicionet dhe përgjegjësitë e punonjësve të institucionit. Mediat maqedonase njoftuan që në mëngjes se Ministri i Arsimit, Pero Stojanovski ka dhënë dorëheqjen. Më 30 qershor, zëvendës kryeministri për Çështjet e BE-së, Ivica Bocevski, la postin e tij pasi “kontributi i tij në qeveri është konsumuar plotësisht”. Dorëheqja e Boçevskit ka shkaktuar një seri komentesh dhe parashikimesh në mediat maqedonase mbi dorëheqje të tjera dhe riorganizimin e kabinetit. Gjatë mëngjesit të djeshëm mediat në Maqedoni njoftuan se tre Ministra dhe një zëvendës ministër do të zëvendësohen.