Incidenti, pezullohen 6 gardianë
KURBIN / ROLAND NIKOLLI
Përfundon me dy akuza të ngritura, pezullim nga puna, pistoleta e makina të sekuestruara “aventura” e gardianëve të burgut të Fushë-Krujës. Ata qëlluan pasditen e së enjtes në gjendje të dehur me armën e punës në aksin Milot-Burrel, duke terrorizuar udhëtarët. Prokuroria e Kurbinit ngriti dy akuza për gjashtë prej tyre, ndërsa për dy të tjerë rezultoi gjatë hetimeve se nuk kishin qenë në gjendje të dehur e madje ata ishin munduar të evitonin veprimet e kolegëve të tyre. Pas akuzave të ngritura për gardianët Gentian Myrtaj, Valmir Shota, Agron Metalia, Llazi Ziba, Gentian Xhetani dhe Lulzim Sula, prokuroria firmosi dje në mëngjes ndjekjen e tyre në gjendje të lirë. Burime nga prokuroria bënë të ditur se gardianët do të ndiqen penalisht me akuzat e “prishjes së rendit dhe qetësisë publike” dhe “kundërshtim të forcave të policisë”. Gjashtë gardianët lanë qelinë dje që në mëngjes, ndërsa dy prej tyre mësohet se janë liruar ditën e ngjarjes. Polica e Kurbinit bëri të ditur se gardiani, i cili ka qëlluar me armë është Valmir Shota. Ai ka pranuar akuzën e ngritur, duke pohuar se për shkak të pijes i kishte kaluar situata jashtë kontrollit. Burime nga policia, të cilët kanë asistuar edhe në ndalimin e kolegëve të tyre, bënë të ditur se gjashtë prej tyre nuk ishin në gjendje të kontrollonin veten në momentin e ndalimit. Ata ishin të dehur pasi kishin festuar në një drekë të organizuar për ditëlindjen e njërit prej tyre. Pas gjashtë orësh në lokal ku kishin konsumuar alkool, gardianët janë gjendur në rrugë nacionale me dy mjetet e tyre me targa të huaja. Në gjendje euforie, Shota ka qëlluar me armën e shërbimit. Por udhëtarët e një furgoni, teksa kanë parë këtë skenë nga gardianët e veshur civilë, kanë menduar se ishin grabitës. Ata njoftuan menjëherë sallën operative. Policia mbërriti në vend dhe kërkoi përforcime nga Lezha për ndalimin e tyre. Grupi i hetimit gjeti 8 gëzhoja, të cilat u administruan në cilësinë e provës materiale. Katër prej tyre janë gjetur brenda në mjet, ndërsa katër të tjera në vendin ku është qëlluar. Sikur të mos mjaftonin akuzat, tashmë gardianët janë të detyruar të presin drejtësinë, e cila do të jetë vendimtare edhe për vendin e tyre të punës. Mësohet se Drejtoria e Burgut të Fushë-Krujës ka vendosur pezullimin e tyre deri në sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje që alarmoi policinë. Armët dhe gëzhojat janë dërguar në laboratorin kriminalistik për të vërtetuar nëse të gjithë plumbat janë nxjerrë nga e njëjta armë.
Në hetim
Gentian Myrtaj
Valmir Shota
Agron Metalia
Llazi Ziba
Gentian Xhetani
Lulzim Sula