I liruari nga burgu bën vula false të ministrive
Fatos Mahmutaj
Një bazë falsifikimesh për diploma, dokumente policore dhe vula të Ministrisë së Mbrojtjes, u bllo-kua dje nga policia, ndërsa dy "pronarët" e saj u arrestuan. Policia e Tiranës tha se Seksioni Kundër Krimit Eko-nomik e Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Kërkimit finalizuan operacionin e koduar "Diploma", në të cilin vunë në pranga dy persona të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve. Sipas policisë, është arrestuar 56-vjeçari Roland Papaproko, lindur në Vlorë dhe banues në kryeqytet si dhe Franc (Kujtim) Borova, 57 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Sipas policisë, ndaj dy të arrestuarve Prokuroria e Tiranës kishte nisur procedimin penal, pasi dyshoheshin të kishin konsumuar veprat penale "falsifikim i dokumenteve", "falsifikim i dokumenteve shkollore" dhe "falsifikim i vulave, stampave e formularëve". "Në sajë të grumbullimit të informacioneve dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, u arrit që dy shtetasit e mësipërm të arrestohen gjatë kohës kur po prodhonin një vulë me mbishkrimin "Ministria e Mbrojtjes, Dega e Mobilizimit" dhe një dëftesë pjekurie të shkollës së mesme të përgjithshme "Partizani", pohoi dje policia. Ndërkohë, pas kryerjes së veprime hetimore dhe procedurale, efektivët blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës një vule të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë; një vulë e P.K.K. Kakavijë; një vulë e Ministrisë së Mbrojtjes, Dega e Mobilizimit; dy vula të institucioneve joqeveritare; një diplomë e Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik së bashku me listën e notave; tre leje drejtimi të vulosura të paplotësuara që dyshohen të falsifikuara; si dhe një sasi materiali fletë gome dhe vegla të ndryshme që përdoren për prodhimin e vulave. Ndërkohë pas verifikimeve në polici ka rezultuar se Borova, i cili është invalid i grupit të katërt, ishte dënuar më parë me një vit burg për të njëjtat vepra penale. Sipas Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar Borovën një vit më parë, ai rezulton se ishte arrestuar mbrëmjen e 8 shkurtit të vitit të kaluar, pasi gjatë kontrollit të tij policia i kishte gjetur një dëftesë shkollore të falsifikuar. Pas kësaj policia ka kontrolluar banesën e tij, ku ka gjetur edhe disa dokumente të tjera, si certifikata apo pasaporta të shtetasve të ndryshëm. Në banesën e tij janë gjetur edhe disa dokumente me mbishkrimin "Drejtoria Arsimore", disa letra të çrregullta me vula të Ministrisë së Arsimit, një vërtetim i Qendrës Sociale "Don Bosko", si dhe disa vegla pune si gërshërë prerëse, kuti bojërash, një datorë në formë vule si dhe disa tamponë vulash. Në fund të procesit, më 8 korrik të vitit të kaluar gjykata e dënoi me një vit burg për "falsifikim të dokumenteve shkollore"; 3 muaj për "prodhim të mjeteve për falsifikim dokumentesh". Nga bashkimi i dënimeve ai u dënua përfundimisht me një vit burg. Por aplikimi i gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të tij bëri që dënimit t'i hiqej një e treta. Në fund policia e kryeqytetit pohoi se edhe pas lirimit Borova nuk hoqi dorë nga falsifikimet, derisa u kap në flagrancë.
Provat
Vulë "Ministria e Mbrojtjes, Dega Mobilizimit"
Dëftesë Pjekurie e shkolla e mesme "Partizani"
Vulë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë
Vulë e P.K.K. Kakavijë
Vulë e Ministrisë së Mbrojtjes
Dy vula të institucioneve joqeveritare
Një diplomë e UT, Fakulteti Ekonomik, listë notash
Tre leje drejtimi të vulosura të paplotësuara