Revolucion në arsim, Kosova akrediton kolegjet private
Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për akreditimin e kolegjeve dhe jo-universiteteve të sektorit privat. Ky vendim është vlerësuar nga Ministri i Arsimit në Kosovë, Enver Hoxhaj, si një mbështetje për bartësit privat të arsimit të lartë. Në një intervistë për BBC, ai ka theksuar se vendimi është bazuar mbi raportin e akreditimit të Këshillit Britanik vitin e kaluar. “Mendoj se procesi i akreditimit gjatë vitit 2008-2009, në të cilin kanë qenë të përfshirë mbi 100 ekspertë (raporti përfshin mbi 1800 faqe tekst), është një vlerësim real i gjendjes ekzistuese në të gjithë këto Institucione të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Vendimi i Qeverisë, i cili mbi të gjitha i referohet rekomandimit të Këshillit Kombëtar të Cilësisë që asnjë prej tyre të mos bartë emrin Universitet, që të mos japë tituj akademik dhe të mos organizojë programe të doktoraturës, është realisht dizajni më i mirë i mundshëm se si në të ardhmen këto Institucione të arsimit të lartë të zhvillohen. Ndërsa studentët që janë në këto Institucione ta kenë mundësinë që vërtetë të ndjekin programe të akredituara dhe diplomat e tyre të pranohen brenda dhe jashtë Kosovës”, tha ministri. Qeveria e Kosovës vendosi që të kufizojë numrin e studentëve për këto institucione në 500 prej tyre për vit akademik dhe theksoi se po përpiqet që të vërë rregull në këtë fushë të arsimit të lartë. Por, duke iu shkelur interesat e tyre, një pjesë e bartësve të arsimit të lartë privat e kanë cilësuar vendimin në kundërshtim me ligjin dhe kanë paralajmëruar se do të ndjekin një rrugë ligjore për ta ndryshuar atë. Sipas Hoxhaj, çështja duhet të jetë se çfarë cilësie ofrojnë këto institucione, dhe jo emri që bartin ato. BBC