Një minoritar, kandidat i Karamanlisit për Strasburgun
Partia në pushtet në Greqi “Demokracia e Re”, ka përfshirë për herë të parë në eurolistën e saj një pjesëtar të minoritetit, Lefter Dhimitri. Duket se ai ka shanse të mëdha për t’u zgjedhur. Lefteris Dhimitriu, siç është emri i tij në greqisht, apo Lefter Dhimitri siç përcillet në shqip, ishte padyshim nga emrat që tërhoqën vëmendjen në shpalljen e listës elektorale të partisë greke në pushtet “Demokracia e Re” të Kostas Karamanlis, për zgjedhjet europarlamentare të 7 qershorit. Sekretari i partisë, Lefteris Zagoritis theksoi se, “Dhimitriu është i lindur në një fshat të Sarandës së Shqipërisë dhe ndër katër gjuhët që di, është edhe gjuha shqipe”. Elektorati i pjesëtarëve të minoritetit grek të Shqipërisë, që fitoi të drejtën e votës me vendimin e akordimit masiv të nënshtetësisë greke, mori mesazhin se për herë të parë kishte një kandidaturë të tij, bile e njëmbëdhjeta në listë me shanse shumë të mëdha për një vend në Strasburg. Mesazhi: erdhi koha e integrimit politik të pjesëtarëve të minoritetit, që prej 18 vitesh në pjesën e tij dërrmuese jeton dhe punon në Greqi. Kandidatura e Lefterit ofrohet dhe për një këndvështrim të dytë, që lidhet me cilësinë e qytetarit shqiptar, dhe nuk është e rastit që “shumë shqiptarë të imigracionit e panë me interes për vetë të ardhmen e tyre integruese”. Tashmë ka një pjesë të konsiderueshme të elektoratit shqiptar, atë të minoritetit, që aktualisht ka të drejtën e votës dhe të zgjedhjes si çdo qytetar tjetër evropian. Lefteri është lindur e rritur në Shqipëri, i diplomuar në Kamëz për agronomi, prej andej imigrant në Greqi dhe në vazhdim në Qipro, ku punon si drejtues i një enti evropian, duke qenë njohës i thellë i politikave evropiane për bujqësinë, me nënshtetësi gjithashtu qipriote dhe impenjim të madh politik në ishull, është shembulli i gjallë i profilit multikulturor të shoqërive të sotme. “Në faqen time elektronike do të lexoni se jam njohës shumë i mirë edhe i gjuhës shqipe. Unë hyra në listë si përfaqësuesi i helenizmit dhe bile ikumenik. Një pjesë e elektoratit tim të bashkëkombësve, pra nga Shqipëria, votën e të cilëve kërkoj për “Demokracinë e Re” dhe shpresoj se do ta kem, kanë cilësinë e qytetarit shqiptar dhe do të votojnë si qytetarë evropianë. Aq më tepër që Shqipëria aplikoi së fundi për të hyrë në familjen evropiane. Uroj që rruga e saj të jetë një rrugë transformimesh dhe plotësimi i të gjitha standardeve”, tha ai për “Deutsche Welle”, me keqardhjen për aksentin e tij për shkak të viteve të largimit nga Shqipëria.