E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanët ;Pakësohet numri i aboneve të studentit



Abonetë e studentëve po shfaqen në treg gjithnjë e më pak. Dispeçerët pohojnë se këtë muaj nuk u kanë ardhur asnjë copë për shitje. Sipas tyre, ka qenë shoqata ajo që nga muaji në muaj ka pakësuar numrin e aboneve të studentit duke rritur ndjeshëm numrin e aboneve të përgjithshme. Nga ana tjetër, burime pranë Shoqatës së Transportit Urban sqarojnë se edhe këtë muaj kanë dalë në treg një numër i konsiderueshëm i të gjitha llojeve të aboneve, në mënyrë të veçantë të aboneve për studentë.

Abuzimi

Nga vëzhgimi i kryer nga gazeta “standard” rezulton se në asnjërën prej dispeçerive të kryeqytetit nuk disponohen për shitje abone të studentëve. Punonjësit pohojnë se nuk u kanë ardhur asnjë copë për tregtim. Sipas tyr, disa dhjetëra që ishin nxjerrë në treg, janë shitur nga inspektorët. “Vetëm në fillimin e tyre fare ka pasur mbi 1000 mijë copë abone studenti për shitje, por kjo shifër nga muaji në muaj ka ardhur në rënie. Madje këtë muaj mendohet të jenë nxjerrë në treg 80-100 copë”, - pohojnë punonjësit e dispeçerive. Ndërkohë që në të gjithë Tiranën janë më mijëra studentë që përdorin linjat e urbanit, në mos dy deri në tri linja brenda ditës.

Kështu, nëse një student përdor qoftë edhe vetëm një linjë urbani brendaqytetas pa qenë i pajisur me abone, kostoja e këtij udhëtimi, nëse udhëton të paktën dy herë në ditë vajtje ardhje, për një muaj i duhen rreth 18 mijë lekë të vjetra. Ndërsa për rastet kur është i pajisur me abone studenti, kostoja e udhëtimit është ½ e 18 mijë lekëve të vjetra.

Siç e pohojnë edhe studentët, abonetë e tyre prej kohësh shiten në treg të zi. “Janë raste të rralla ato kur unë kam arritur të blej një abone studenti”, - shprehet Xheni, studente e Fakultetit të Ekonomisë, ndonëse autorizimin për shitjen e tyre e kanë vetëm dispeçeritë. Këto vende kanë të drejtën të shesin këto abone kundrejt një vërtetimi që e pohon faktin që personi i cili po e blen këtë, është një student apo një nxënës. Ndërkohë që me shitjen e tyre në treg të zi mjafton të kesh sasinë e lekëve të duhura.

Rritja

Rritja e çmimit të biletave të urbanit dhe aboneve mendohej se do të sillte një rregullim të gjendjes. Në mënyrë të veçantë si për shitjen më të rregullt të aboneve, por edhe në përmirësimin e kushteve të linjave të urbanit. Por me sa vihet re, me gjithë ngritjen e çmimeve, autobusët e linjave të urbanëve nuk plotësojnë asnjë kusht për qytetarët, si nga mirëmbajtja, ashtu edhe nga ngarkesat e shumta të njerëzve që të marrin frymën. Kohë më parë, sekretari i përgjithshëm i Transportit Ndërqytetës, Kujtim Hyka, ka pohuar për gazetën: “Kjo situatë do të vazhdojë edhe për sa kohë Bashkia e Tiranës të mos japë asnjë subvencion për shoqëritë aksionere të autobusëve të Tiranës, pasi edhe një nga kushtet kryesore të kontratave të saj me këto shoqëri ka qenë mossubvencionimi”. “Nëse situata do të vazhdojë kështu, - theksoi ai, - ky lloj transporti do të shkojë drejt falimentimit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›