E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e 1 Majit, jo vetëm festë, por edhe protestë në kryeqytet

Ditë feste dhe proteste ishte dje 1 Maji në Tiranë. Koha e mirë ka favorizuar të gjithë qytetarët për ta konsideruar këtë ditë më shumë si festë sesa një ditë ku duhet ngritur zëri për problemet e kërkesat në punë. Ata që janë hedhur dje në protestë paqësore ishin përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave, anëtarë të lëvizjes "Mjaft", Shoqata e Invalidëve. Edhe njëherë ata kanë kërkuar më shumë vëmendje nga shteti për të ndihmuar kategoritë në nevojë, për të rritur kushtet e sigurisë në punë, për të nxitur punësimin e në të njëjtën kohë për të mos përsëritur edhe një herë tragjedinë e Gërdecit.

1 Maji i vitit 2008 në Tiranë ka qenë një festë për shumicën dhe protestë për pakicën. Ajo që të binte më shumë në sy në sheshin "Skënderbej" ishin pensionistët, të cilët më shumë se në kujtim të manifestimeve të 1 Majit në kohën e diktaturës kishin në vëmendje hallet e tyre dhe problemet ekonomike. "I kemi lënë një muaj kohë qeverisë që të mendojë seriozisht për të na kompensuar për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, kompensim për rritjen e çmimit të bukës, kompensim për rritjen në stratosferë të çmimeve të ushqimeve", tha kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorrica. Sipas tij, shteti nuk duhet të ngrejë çmimet, por duhet të investojë më shumë në sektorin e bujqësisë dhe turizmit. "Në rast se nuk do të kemi kompensime për të gjitha këto rritje, atëherë do të hidhemi në protesta. Pensionistët janë shumë", theksoi Gorica. Të tjerë të moshuar ishin të mendimit se 1 Maji nuk është një festë komuniste, por një ditë ku të gjithë duhet të kërkojnë më shumë nga qeveria dhe këtu jo vetëm ato kategori me probleme e të varfër, por edhe ata që, sipas tyre, quhen borgjezë e s‘kanë probleme me paratë. "Përpjekjet e punëtorëve në të gjithë botën duhet të kujtohen me seriozitet dhe qytetarët shqiptarë nuk duhet të jenë indiferentë edhe në ditën e 1 Majit", thanë protestuesit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e lëvizjes "Mjaft" kanë kërkuar nga qeveria më shumë përgjegjësi, më shumë mbështetje për punëtorët. Po ashtu, edhe Shoqata e Invalidëve ka kërkuar njohje të dokumenteve të tyre në linjat e transportit urban. Konfederata e Sindikatave protestoi për mungesën e vendeve të punës, rritjen e pensioneve për nivelin e jetesës në Shqipëri dhe për plotësimin e kushteve më të mira të punës. Drejtuesit sindikalistë bënë thirrje për një kujdes më të madh ndaj fermerëve dhe për një përdorim më efikas të taksave.

Pavarësisht thirrjeve, protesta ka qenë e vakët, me pak pjesëmarrje. Pjesa më e madhe e qytetarëve e kanë kaluar 1 Majin duke kryer ritualet e përhershme të një dite pushimi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›