Spahia: Me pavarësi për KLD, jo inspektorat nga Drejtësia
Nënkryetari i KLD-së kërkon më shumë kompetenca. Pritet me rezerva nga Alibeaj dhe PD
TIRANË- Seanca e parë e diskutimit të projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, ka sjellë dhe përplasjet e para midis vetë institucioneve që përbëjnë këtë sistem. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në rolin e një prej aktorëve kryesorë të këtij sistemi, ka shprehur hapur dje kërkesat për më shumë kompetenca në raport me Ministrin e Drejtësisë. KLD, megjithëse e cilëson si pozitive nismën për miratimin e këtij projektligji, thekson nevojën për t'i bërë atij një sërë ndryshimesh pasi, sipas këtij institucioni, ai nuk ka arritur të plotësojë disa vakuume apo të përmirësojë mjaftueshëm problematikat e mëparshme. I ftuar dje për të dhënë mendime në lidhje me projektligjin në fjalë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu i ka kërkuar Komisionit parlamentar të Ligjeve që të marrë në konsideratë kërkesën për të shkrirë Inspektoratin e Kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, pasi, sipas tyre, ai dublon dhe krijon probleme në funksionim me Inspektoratin e KLD-së. Për këtë Spahiu i sugjeroi Komisionit të Ligjeve që projekti të hartohet në atë mënyrë, që të mos pengojë tendencën juridike dhe ligjore të një standardi të kërkuar edhe nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, ku të ketë vetëm një inspektorat të atashuar pranë KLD-së. "Duhet që vendimmarrja parlamentare të jetë e përgatitur për t'i dhënë fund dualitetit të inspektimit. Tendenca është e pandalshme për të shkuar drejt një inspektimi të vetëm, atë të KLD-së", - u shpreh Spahia. Gjithashtu, një kërkesë tjetër e KLD kishte të bënte dhe me heqjen e monopolit nga ministri i Drejtësisë i së drejtës për të propozuar anëtarët e gjykatave. Sipas tij, këtë të drejtë duhet ta kenë edhe të gjithë anëtarët e KLD-së. Në një material të detajuar prej afro 40 faqesh, KLD ka paraqitur dhe një sërë sugjerimesh të tjera, që kanë të bëjnë me sistemin e karrierës, trajtimin financiar të gjyqtarëve. Ndërkohë që kërkesa e tij për shkrirjen e Inspektoratit ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të ministrit të Drejtësisë, Enkelid Alibeaj, i cili ka theksuar se dikasteri që ai drejton, ka nevojë për më shumë kompetenca në fushën e organizimit dhe kontrollit të gjyqtarëve. "Mund të them se kjo e drejtë e ministrisë për të propozuar masat disiplinore duhet të shtohet akoma më tepër, dhe kjo është një çështje e cila mund të diskutohet. KLD-ja është organi i cili do të mbroje gjyqtarët nga të gjitha influencat politike, por kush do të jetë ai organ që do të mbroje palën tjetër të kësaj marrëdhënieje, qytetarët? Pra i bie që të jetë ekzekutivi. Por që ky ekzekutiv të mos abuzojë ndaj gjyqtarëve, atëherë duhet të disiplinohet",- është shprehur ministri Alibeaj. Ndërkohë që debati është shtrirë edhe në rrafshin politik, midis vetë anëtarëve të komisionit. Shkak është bërë kërkesa e deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, i cili ka kërkuar nga anëtarët e KLD-së që kërkesat e tyre t'i paraqesin në formën e amendamenteve ligjore. Pavarësisht gatishmërisë së KLD-së për t'iu përgjigjur kësaj kërkese, kryetari i Komisionit, Fatos Beja ka kundërshtuar një ide të tillë, duke vlerësuar se KLD ka të drejtë të paraqesë vetëm sugjerime për projektligjin dhe se do të jenë ekspertët e Komisionit të Ligjeve ata që do t'i kthejnë ato në amendamente. Më pas komisioni i ka zhvilluar punimet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, ku dhe janë miratuar dhe 8 nenet e para të projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor.
Kërkesat kryesore të KLD-së
Neni 6
1. Në projektligj të përcaktohen kriteret për përcaktimin numrit gjyqtarëve.
2. Përcaktimi i Shkollës së Magjistraturës si burim i vetëm për gjyqtar mund të sjellë vështirësitë e veta. Do të ishte me vlerë lenia e një hapësire të limituar në masën 10 për qind të numrit të përgjithshëm të emërimeve, ndaj një kategorie profesionistësh që plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
3. Monopolizim i të drejtës së emërimit të kryetarëve mund të shkaktojë varësi ndaj organit propozues, pra, nga ministri. Të drejtën për të propozuar gjyqtarë duhet ta ketë dhe çdo anëtar i KLD-së.
4. Periudha e qëndrimit në detyrë e Kryetarit të Gjykatës nuk duhet të jetë 6 vjet, por 3 vjet, me të drejtë votëbesimi.
5. Projekti të mos pengojë tendencën juridike dhe ligjore të një standardi të kërkuar nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, ku të ketë vetëm një Inspektorat të atashuar pranë KLD-së.