Urdhër-arrestet pezull, 48 orët e “luftës” së nervave Polici-Prokurori
Tiranë- Policia e Prokuroria janë përfshirë prej 48 orësh në “luftë nervash” për 6 urdhër-arrestet e mbetura pezull për drejtuesit e Gardës. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, askush prej dy institucioneve, tashmë të pozicionuara hapur kundër njëri-tjetrit, nuk konfirmoi ekzekutimin e urdhër- ndalimeve për drejtuesit e Gardës së Republikës, që akuzohen për vrasje e shpërdorim detyre. Sipas burimeve të rezervuara pranë Prokurorisë, mësohet se urdhrat e ndalimit ndodhen në tavolinën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që prej orës 04:00 të mëngjesit të 22 janarit. Pas analizimit të videove, që tregojnë dy nga tre viktimat e demonstratës, provave të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe dëshmive të të plagosurve, Prokuroria ka vendosur të ndalojë drejtuesit e Gardës për akuzat që dyshohet se kanë konsumuar, por gjithçka ka ndaluar këtu. Sipas drejtuesve të Prokurorisë, urdhër-ndalimet nuk janë ekzekutuar nga policia, e cila ka për detyrë të zbatojë urdhrat e prokurorit në rastin e një procedimi penal. Duke e cilësuar si të paprecedentë situatën e krijuar, Prokuroria paralajmëron për përgjegjësi ligjore ndaj çdo drejtuesi apo punonjësi policie që refuzon të kryejë detyrën që i ngarkon ligji. “Gjashtë urdhër-ndalimet tashmë janë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në pritje të ekzekutimit të tyre. Nuk kemi asnjë arsye për t’iu drejtuar gjykatës për vlerësimin e tyre. Presim nga policia që këto urdhra të zbatohen, në të kundërt çdokush që refuzon kryerjen e detyrës do të mbajë përgjegjësi ligjore”- thanë burime të rezervuara pranë akuzës. Por edhe pse po mbushet afati prej 48 orësh nga vendimi për arrestimin e krerëve të Gardës, të cilët akuzohen për vrasje e shpërdorim detyre, policia nuk ka asnjë reagim zyrtar për mospërmbushjen e detyrës. Për situatën e paprecedent mes policisë e prokurorisë, ka pasur interesime edhe nga ana e kryeprokurores Ina Rama, e cila gjatë këtyre dy ditëve ka pasur komunikime me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, dhe drejtorin e Përgjithshme të Policisë, Hysni Burgaj. Këto komunikime telefonike të pohuara publikisht edhe nga kryeministri Berisha, kanë të bëjnë me kërkesat e pazbatuara të Prokurorisë, për të cilat Ina Rama ka kërkuar shpjegime. Por nga komunikimet me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, kryeprokurorja ka marrë si përgjigje lapsueset në urdhër-ndalimet, fakt ky i pohuar publikisht edhe nga kryeministri Berisha. Sipas tij, në komunikimin telefonik mes kryeprokurores dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, ky i fundit ka paraqitur si arsye për vonesën e ekzekutimit të urdhër-ndalimeve gabimet dhe lapsuset që ndodheshin në këto vendime të akuzës. Jo zyrtarisht, Prokuroria tha se drejtuesit e Gardës të dyshuar si përgjegjës për vrasjen e tre civilëve gjatë demonstratës së 21 janarit janë: komandanti i Gardës, gjeneral Ndrea Prendi; komandanti i njësisë speciale, Alfred Ahmetcenaj; dhe komandantët e njësive, Dashamir Shehi, Fran Prenga e Vladimir Ndreaj. Të gjithë drejtuesit e Gardës akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personash dhe shpërdorim detyre të kuadrit komandues sipas Kodit Penal Ushtarak.