Ambasadorët, negociata të vrullshme për krizën
Fluks i ngarkuar negociatash, për t’i dhënë zgjidhje situatës politike. Ky është misioni i ndërmarrë prej dy ditësh nga ambasadorët e huaj, të akredituar në Tiranë, ashtu sikurse zyrtarët e lartë të Brukselit dhe Uashingtonit. Në orët e para të ditës së djeshme, të gjithë diplomatët perëndimore të akredituar në kryeqytetin shqiptar, janë mbledhur në selinë e delegacionit të Komisionit Europian, në një konsultë mes tyre, në lidhje me atë çka duhet të veprojnë për të ulur gjakrat dhe zgjidhur krizën politike që po degradon. Pas këtij bashkëbisedimi, katër prej tyre janë nisur drejt zyrës së Kryeministrit Sali Berisha. Shefi i mazhorancës ka biseduar së pari me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu, kreun e delegacionit të Komisionit Europian, Ettore Sequi, ambasadorin e OSBE-së Eugen Ëolfarth dhe ambasadorin hungarez, Sandor Molnari, vendi i të cilit kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Më pas, në një tjetër takim, Berisha është vendosur përballë të gjithë ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë. Burimet brenda takimit thanë se ndërkombëtarët i kanë kërkuar kryeministrit Sali Berisha të angazhohet për qetësimin e situatës së krijuar, duke evituar përshkallëzimin e saj. Ambasadorët kanë insistuar në kërkesën e tyre, që mazhoranca të anulojë mitingun e paralajmëruar për ditën e mërkurë. Në kuadër të këtyre debateve, kryeministri Berisha ka pranuar të bëjë një lëshim duke e shtyrë këtë tubim për ditën e shtunë, pa e anuluar mbajtjen e tij. Ndërkohë, ndërkombëtarët i kanë mëshuar idesë se duhet të hetohet në imtësi ajo çka ndodhi më 21 janar dhe të zbardhen edhe vrasjet e tre personave. Ata e kanë bërë të qartë se Prokuroria duhet lënë të hetojë, pa pasur ndërhyrje nga politika. Në përfundim të takimit, diplomatët perëndimore nuk kanë pranuar të komentojnë asgjë në lidhje me çka është biseduar. Burimet diplomatike sqarojnë se ka pasur shumë telefonata edhe me funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate. Zyra e shtypit pranë kryeministrit deklaroi se takimi është thërritur nga z.Berisha dhe në të morën pjesë ambasadori i SHBA, zoti Alexander Arvizu, i delegacionit të BE-së, zoti z.Ettore Sequi, Ambasadori i Hungarisë, e cila është presidenca e radhës e BE, zoti Sandor Molnari dhe Ambasadori i prezencës së OSBE, zoti Eugen Ëollfarth, të cilët i njohu me hollësi për të gjitha zhvillimet e fundit, pas ngjarjeve të ndodhura. “Kryeministri Berisha i risiguroi ambasadorët për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend. Gjithashtu, Kryeministri Berisha zhvilloi takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, NATO-s, por edhe vendeve të tjera, ku u bëri me dije hollësisht zhvillimet më të fundit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Më herët kishte reaguar edhe Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, sipas të cilit “tre persona, paguan me çmimin më të lartë të mundshëm, paaftësinë e politikës shqiptare për të gjetur kompromiset. Një numër shumë më i madh u plagosën dhe mund të mbartin përgjithmonë shenjat e plagëve të shkaktuara nga dështimi i politikës së demokracisë shqiptare. Ky fakt, thellësisht trishtues, duhet të na japë shkak për qetësi dhe reflektim të thellë. Nevojiten vendime të mençura dhe jo intensifikim i veprimeve e retorikave”.