Meta: Mandat-arrestet kundër gardës, të paligjshme
Në kulmin e debatit për përgjegjësinë e policisë dhe Gardës së Republikës, në ngjarjen e 21 janarit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë në mbrojtje të këtyre të fundit, duke theksuar se ata mbrojtën shtetin dhe institucionet. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke folur dje në Kuvend ka mbështetur forcat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për punën e kryer në demonstratën e 21 Janarit, duke i konsideruar në të njëjtën kohë mandat-arrestet e prokurorisë për arrestimin e krerëve të Gardës si jo ligjore. “Shpreh mbështetjen më të fortë për Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës. Lidhur me këto mandat-arreste ato janë të paligjshme, janë mandate politike, ato janë mandate nën presionin e Edi Ramës. Ata nuk janë kriminelë, nuk janë horra që mund të largohen nga vendi, janë njerëz që janë në krye të vendit. Hetimi të bëhet, ka prokurori, ka dhe gjykata dhe ne do t’i respektojmë të gjitha këto, por ne nuk mundet që të marrim më qafë, që të shpallim fajtorë, pa u bërë hetimet disa njerëz, vetëm se morën përgjegjësi që morën në mbrojtje shtetin. Nuk mund t’u japim mesazhin horrave se hajde përsëri në Tiranë se ata që mbrojnë institucionet, ne i dënuam”, - u shpreh Meta në fjalën e tij. Gjithashtu, duke iu përmbajtur kësaj linje, kreu i LSI-së ka kërkuar nga policia që të arrestojë të gjithë ata që ngritën dorë kundër policave dhe institucionit të Kryeministrisë, më 21 janar. “Të gjitha ata që kanë vënë dorë ndaj policisë, të gjithë ata që kanë guxuar që të hedhin qoftë dhe një gur ndaj policisë, të arrestohen kudo që të jenë dhe fotografitë e tyre të shpallen në kërkim. Këta duhet ta kuptojnë se s’mund të luajnë me pasurinë e kombit dhe s’mund të dëmtojnë imazhin e një vendi, sepse i sponsorizon dhe sepse i drogon një njeri, që është akuzuar haptaz për përdorimin e kokainës”, - u shpreh Ilir Meta.