E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD akuzon Ina Ramën: Kreu një grusht shteti

TIRANË- “Kam ardhur për t’u thënë gjithë shqiptarëve, se këta janë heronjtë për të mbrojtur rendin kushtetues, këta janë heronjtë, djemtë e gardës dhe të policisë që kanë mbrojtur institucionet kushtetuese në një sulm të paralajmëruar, nga Edi Rama”, - kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas vizitës në Spitalin Ushtarak të efektivave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Kryetarja e Kuvendit foli për një skaner puçist në deklaratën e saj, por nuk pranoi të sqarojë më tej se për çfarë konkretisht e kishte fjalën. Por këtë gjë e ka bërë më së miri një tjetër deputete e PD-së, Mesila Doda, e cila përmes një deklarate për shtyp në ambientet e Kuvendit ka akuzuar ashpër Kryeprokuroren, Ina Rama. “Në një akt të paprecedent, dje, u krye përpjekja e fundit e një grushti shteti të strukturuar mirë. Dje, dasmorja e Edi Ramës, Ina Rama hoqi çdo maskë dhe dëshmoi se është fund e krye pjesë dhe aktore e grushtit të shtetit. Urdhri i arrestit i 6 komandantëve të gardës është lëshuar dje nga Ina Rama, pa asnjë hetim, në përpjekje për të dërguar pas hekurave mbrojtësit e institucioneve, heronjtë që mbrojtën Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin e vendit. Ky urdhër është lëshuar me qëllimin e vetëm për të lënë pa kokë e pa mbrojtje gardën e Republikës dhe mbrojtësit e institucioneve të vendit. Qëllimi i këtij akti kriminal është të bëjë më të lehtë sulmin e dhunën ndaj institucioneve të tjera të vendit, në mënyrë që t’i hapë rrugë falangave kriminale të Edvin Ramës”, - tha dje Doda. Me tone të ashpra, Doda shtoi se, fundi i Prokurores së Përgjithshme dhe kryetarit të opozitës do të jetë ligjor dhe i pashmangshëm. Pas kësaj deklarate, një tjetër deputet i PD-së, anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, ka deklaruar se drejtuesit e Gardës, ndaj të cilëve janë lëshuar fletë-arrestet nga ana e Prokurorisë bënë vetëm detyrën. “Të nxjerrësh një urdhër ndalimi, ashtu siç parashikon ligji penal në këtë vend, neni 253 i KPP, do të thotë të kesh prova, të dhëna të besueshme të bazuar në prova, prova për krime, prova për rrezik arratisje dhe ikje të të dyshuarve. Asnjë provë, asnjë e dhënë, asnjë dyshim, asnjë ekspertizë apo eksperiment nuk ngarkon me përgjegjësi, qoftë edhe administrative, drejtuesit e Gardës së Republikës”, - tha Halimi. Deputeti i PD-së citoi edhe një tjetër nen (254) të Kodit të Procedurës Penale. “Arrestimi ose ndalimi, nuk lejohet, kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejte, ose kur ekziston shkak padënueshmërie. I kujtoj Prokurores së Përgjithshme, se vetëm arrestimi dhe dënimi i ashpër, i nxitësve dhe organizatorëve, është garancia e vetme që ne kërkojmë, se edhe prokuroria po kryen funksionin kushtetues për mbrojtjen e institucioneve të vendit dhe rendit kushtetues”, - tha Halimi.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›