E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e mazhorancës: Kreu i PS, përgjegjës për dhunën

Përveç komisionit hetimor, mazhoranca ka miratuar gjatë seancës së djeshme parlamentare edhe një rezolutë, ku dënon demonstratën e dhunshme, të organizuar nga opozita, në datën 21 janar. Nëpërmjet këtij dokumenti, Kuvendi shpreh keqardhje për atë që ndodhi në pasditen e 21 janarit, ndërsa bën si përgjegjës për këtë ngjarje kreun e opozitës, Edi Rama dhe drejtuesit e tjerë të opozitës, të cilët sipas tekstit të miratuar bënë thirrje për dhunë. “Kuvendi me vendosmërinë për të respektuar rendin kushtetues, sigurinë publike, jetën e pronën e qytetarëve shqiptarë, si dhe të drejtat dhe liritë e njeriut, me vullnetin për të vazhduar politikat që i shërbejnë zhvillimit të gjithanshëm të vendit dhe të shoqërisë, vëren se fjalët e përdora në vijim, si nga kryetari i PS-së dhe aleatët e PS-së, kanë nxitur sistematikisht dhunën”, - thuhet në rezolutë. Gjithashtu, Kuvendi konstaton se dhuna politikisht e frymëzuar nga grupe huliganësh, banditësh, keqbërësish, përbën një vepër kriminale të natyrës ordinere dhe një goditje ndaj rendit kushtetues. Nisur nga kjo, Kuvendi dënon fuqishëm aktet e dhunës dhe frymëzuesit e tyre. “Bënë përgjegjës përsa ndodhi kryetarin e PS-së dhe politikanët e tjerë rreth tij dhe kërkon përcaktimin ligjor të përgjegjësisë së masave që rrjedhin prej saj nga organet e drejtësisë”, - thuhet në rezolutë. Gjithashtu, mazhoranca nëpërmjet kësaj rezolute, shpreh përgëzimin për organet e policisë dhe të Gardës së Republikës, për përballimin e kësaj situate si një sfidë të vështirë dhe i mbështet që të vijojnë të përmbushin detyrimet ligjore. Në fund të këtij dokumenti kërkohet që edhe organet e drejtësisë të bëjnë një hetim sa më profesional dhe të paanshëm, për atë që ndodhi në këtë demonstratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›