Urdhëri i Burgaj: Gjobat jo në xhamin e makinës
Asnjë punonjës policie nuk do të mund që të vendosë gjobë mbi xhamin e makinës, pa qenë prezent në të drejtuesi i saj. Ky është urdhri i ri i drejtorit të sapoemëruar të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Burime nga policia bënë të ditur se drejtori i përgjithshëm i policisë ka mbledhur në një takim ditën e premte të gjithë drejtuesit dhe shefat e policisë rrugore në të 12 qarqet e vendit të cilët kanë raportuar për punën e tyre. Ky takim i cili u zhvillua në ambientet e Policisë së Shtetit ka pasur si qëllim përmirësimin e punës së policisë rrugore në të gjithë vendin. Të njëjtat burime bënë të ditur për "Ora News" se se kreu i Policisë së Shtetit i ka urdhëruar vartësit e tij që të marrin masa për aksidentet rrugore si dhe të mos abuzojnë me detyrën. Por thelbi i kësaj mbledhje është urdhri i ri i drejtorit të policisë së shtetit ku çdo punonjës i policisë rrugore nuk duhet të vendos gjobë në xhamin e makinës pa qenë prezent drejtuesi i automjetit. Ndër të tjera sipas burimeve Burgaj ka pohuar se do të merren masa ndaj të gjithë punonjësve të policisë që do të tolerojnë drejtuesit e makinave të futen me në rrugë me semafor të kuq.