Kapen tre shpërndarës droge
Policia e Korçës ka arrestuar dje tre të rinj të cilët tregtonin nëpër lokale lëndë narkotike të llojit heroinë. Survejimi disaditor nga ana e sektorit të krimit të organizuar dhe antidrogës ka çuar në arrestimin në flagrancë me 30 doza heroine të Rikard Feçamit 25 vjeç, Tauland Muçës, 29 vjeç dhe një 21-vjeçari me inicialet Z.P., që të tre banorë të qytetit të Korçës. Policia tha se tre të rinjtë janë kapur duke shpërndarë lëndë narkotike të llojit heroinë nëpër lokale të qytetit. Në momentin e arrestimit ata kishin me vete 30 doza lënde narkotike të llojit heroinë. Aksioni i policisë nuk është mjaftuar me kaq, por kanë vazhduar kontrollet edhe në banesat e shpërndarësve të drogës, ku janë sekuestruar edhe 252 gramë heroinë. Zyrtarë të policisë së Korçës pranojnë faktin që në qytet ka një tendencë në rritje të përdorimit të drogave të forta.