Tenton vetëvrasjen ish-polici
Një ish-punonjës policie në Komisariatin e Lushnjës ka tentuar të vetëvritet me thikën e bukës, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë në lagjen "Loni Dhamo" të qytetit të Lushnjës. Sipas burimeve policore, 55-vjeçari Petraq Perri, babai i dy fëmijëve, ka qëlluar veten me thikë në bark dhe në dorë. Ai e ka kryer këtë veprim krejt pa zhurmë, kur gruaja dhe fëmijët ishin në shtëpi. Vetëm disa minuta pas këtij akti, bashkëshortja e ka gjetur të mbuluar në gjak dhe ka njoftuar fqinjët, të cilët e kanë ndihmuar për ta transportuar në spital. Aty 55-vjeçari Perri u është nënshtruar mjekimeve, që kanë mundësuar ndalimin e hemorragjisë dhe shmangien e rrezikut për jetën. Policia ka shkuar në banesën e 55-vjeçarit, ku ka gjetur armën e ftohtë me të cilën ai donte t‘i jepte fund jetës. Gjurmët e gishtave në thikë kanë vërtetuar versionin e tentativës së vetëvrasjes, të ngritur nga gruaja dhe fëmijët. Nga familjarët dhe burimet zyrtare policore mësohet se Petraq Perri ka qenë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Lushnjë për shumë vite. Ai ka dashur të përfitojë statusin e ushtarakut, për të siguruar kështu një pension, por nuk ka mundur ta bëjë këtë. Kjo mendohet se është arsyeja që e ka çuar atë në depresion dhe në vendimin fatal për vetëvrasje. Gjatë viteve të fundit, 55-vjeçari Perri ka qenë i papunë. Dy fëmijët e tij janë duke vijuar arsimin e mesëm, por për shkak të gjendjes ekonomike ata nuk do të mund të vijojnë arsimin e lartë.