Mbeten anonimë trafikantët që thyen postbllokun
Policia e Gjirokastrës është vënë në kërkim të dy personave, të cilët kaluan me forcë një postbllok policor dhe më pas braktisën makinën me drogë. Bëhet fjalë për 161 kilogramët e marijuanës që u gjetën duke u gdhirë dita e mërkurë në një kamionçinë të braktisur në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Dy personat e shoqëruar mëngjesin e së mërkurës në polici, pasi dyshoheshin si pjesëmarrës direkt në këtë ngjarje, janë lëshuar dje. Sipas burimeve policore, mungesa e provave dhe deklarimi i tyre për pafajësi, ka mjaftuar që të dy personat të liheshin të lirë. Ndonëse operacionet për kërkimin e dy trafikantëve kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, nuk është arritur të gjenden identitetet e tyre. Një burim nga Policia e Gjirokastrës pohon se rrethi i të dyshuarve është ngushtuar mjaft. Në qendër të hetimeve është vënë një grup personash, të cilët njihen si të përzier në trafiqe të tjera ilegale. Kjo bëhet mjaft e besueshme, po të merren në konsideratë edhe informacionet e siguruara në terren, të cilat janë ruajtur në konspiracion të plotë nga drejtuesit e operacionit të djeshëm. Dy personat që kanë braktisur kamionçinën me marijuanë, sipas një burimi të sigurt nga policia, dyshohet se janë nga Gjirokastra dhe Delvina.