Urdhri i Françeskanëve, Berisha: Kontribut i jashtëzakonshëm
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje kontributin e jashtëzakonshëm të Urdhrit të Françeskanëve që përmes misionit të tyre kanë dhënë një ndihmesë mjaft të rëndësishme në formimin intelektual dhe kulturor të shqiptarëve, si dhe në disa fusha të tjera të kulturës, duke qenë kështu, një nga faktorët më aktivë të Kishës Katolike në Shqipëri. Kryeministri Berisha priti dje ministrin e Përgjithshëm të Urdhrit të Françeskanëve në Botë, Jose Rodriguez Carballo. Ministri i Përgjithshëm i Françeskanëve, Carballo, u shpreh se ishte shumë i lumtur që ndodhej në Shqipëri me rastin e përvjetorit të themelimit të Urdhrit të Françeskanëve në Shqipëri, duke falënderuar gjithashtu Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë Urdhrit të Françeskanëve në iniciativat dhe misionin e tyre në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe ministri i Përgjithshëm i Françeskanëve, Carballo, u shprehën se Kisha e Shën Ndoit në Shqipëri është kthyer në një nga pikat më të frekuentuara të pelegrinazhit në Shqipëri, por edhe në Ballkan, në të cilën shkojnë pelegrinë me përkatësi fetare të të gjitha feve, një shembull tjetër ky i kontributit të Urdhrit të Françeskanëve në harmoninë fetare dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve.