Bojkoti, Brukseli: Pengesë e ambicieve të Shqipërisë
Brukseli shpreh sërish shqetësimin për bojkotin e opozitës, duke bërë të qartë se të gjitha përpjekjet për të bojkotuar punën e Parlamentit në të ardhmen, do të pengonin dhe vështirësonin ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ky është thelbi i një deklarate të përbashkët të deputetëve të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Simon Busutil, Tanja Fajon dhe Marije Konerlisen. Eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë, të vazhdojnë përpjekjet që zgjidhja të gjendet brenda institucioneve demokratike. Të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë funksionale, në mënyrë që të përballojnë sfidat e integrimit evropian, - thuhet në deklaratë, në të cilën më tej citohet se debati politik duhet të bëhet në këto institucione, vendimet e të cilave duhet të respektohen nga të gjithë. Po kështu, anëtarët e Parlamentit Evropian mirëpritën progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Ata theksojnë se Parlamenti Evropian është i kënaqur me nivelin e përgatitjes teknike për këtë proces. Jemi gati të mbështesim heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, - shprehen deputetët, mes tyre edhe koordinatori i grupit më të madh politik në komitetin përgjegjës për çështjen e vizave, Simon Busutil dhe raportuesja për çështjen e vizave, Tanja Fajon. Pas takimit me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, europarlamentarët thanë se ata mirëpresin gatishmërinë e palës shqiptare, për të hapur një erë të re të dialogut ndërparlamentar dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë që përfaqësohen në Asamblenë Kombëtare Shqiptare.