E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i MASH, sot nis mësimi në universitetin “Luigj Gurakuqi”

SHKODER-Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” sot nis procesin mësimor. Ka qenë një urdhër i dalë nga Ministria e Arsimit paraditen e së enjtes. Në fakt, që kur u lajmërua për situatën emergjente në Shkodër, MASH-i pati deklaruar se mësimi në Universitetin e Shkodrës do të niste më 15 janar. Dhe, ashtu ndodhi. Ndërsa nisën përmbytjet më datën 3 janar, u vendos që konviktet e Universitetit të Shkodrës të përdoreshin për të evakuarit. Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve në Shkodër vuri në gatishmëri ambientet, duke siguruar fillimisht të gjitha materialet që kishin lënë studentët: Veshje, libra dhe orendi të ndryshme. Gjatë ditëve të përmbytjeve, në ambientet e konvikteve të universitetit nuk u vendos asnjë familje e përmbytur. Megjithëse në zonën e Shkodrës janë shënuar mbi 5 mijë persona të evakuuar, në qendrat e caktuara për strehim janë regjistruar jo më shumë se 600 persona. Kjo, për faktin se shumica e familjeve të prekura nga përmbytjet janë strehuar në shtëpitë e të afërmve të tyre. Familjet e evakuara janë përqendruar në konviktet e shkollës industriale, pyjore, muzikës dhe hotel “Rozafa”. Mësohet se në shkollat e mesme profesionale me konvikt nuk do të vazhdojë mësimi. Kjo, deri në një urdhër të dytë të MASH-it. Ndërkohë, Universiteti i Shkodrës po i kthehet normalitetit. Ndërmarrja e Trajtimit të studentëve ka rikthyer në gjendjen e parë dhomat e studentëve dhe tashmë është në pritje që të rinisë procesi mësimor. Po kështu, këtë të shtunë do të nisë dhe sistemi part-time, viti i parë, në të gjitha degët e Universitetit të Shkodrës, si dhe mësimi në nivelin DND. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›