Unaza e Madhe, zbardhet skema se si do të bëhen shpronësimet
Laureta Rryçi
Të gjithë banorët që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe do t’i nënshtrohen skemës së shpronësimit. Konkretisht, ata që përfitojnë nga kjo skemë janë qytetarët që kanë pasuritë e paluajtshme të ligjshme. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë skemën e shpronësimit që zbatohet në Bashkinë e Tiranës. Kjo skemë përcakton jo vetëm dokumentacionet që duhen në këto raste, por edhe ku duhet dorëzuar kërkesa fillimisht për të përfituar nga shpronësimet dhe institucionet ku do të kalojë kërkesa më pas deri në një vendim përfundimtar për çdo rast konkret. Projekti i Unazës së Madhe, që pritet të nisë punimet së shpejti, pritet të ketë një numër të konsiderueshëm shpronësimesh kryesisht në zonat ku do të ndërtohet edhe rruga. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, fillimisht aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës.
Llogaritja
Specialistët e Bashkisë së Tiranës mësohet se janë drejt kalkulimeve të fundit për të përcaktuar edhe shifrën në total të pronave që do të kompensohen për të gjithë projektin. Janë vetë pronarët ata që pas njohjes me projektin depozitojnë në bashki pretendimet e tyre për kompensim të pronës që do t’u merret për ndërtimin e projektit. Skema e shpronësimit ka përcaktuar që certifikata e pronësisë dhe dëshmitë e tjera ligjore duhet të paraqiten së bashku me kërkesën për kompensim. Më pas, bashkia bën verifikimin e kërkesave të pronarëve me përputhjen e tyre në zbatimin e projektit dhe cakton hapësirën e saktë që do të kompensohet. Pas përfundimit të verifikimit, dokumentet kalojnë në Ministrinë e Transporteve, e cila përcakton masën dhe kriteret e kompensimit në bazë të rregullave.
Zona që preket
Zona ku pritet të kalojë Unaza e Madhe mësohet se është e mbipopulluar me biznese të ndryshme apo edhe shtëpi banimi. Madje, kohët e fundit, kur qytetarët kanë mësuar se në këtë pjesë do të kishte investime, kanë blerë pasuri të paluajtshme në formë trualli. Madje mësohet se një pjesë e banorëve janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Kjo është kategoria e banorëve që nuk kanë asnjë dokument pronësie mbi pasurinë e paluajtshme që posedojnë joligjërisht. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo të banesës do të shpronësohen të gjithë. Tashmë është përcaktuar harta e prishjes së ndërtesave pa leje dhe harta e tokës apo pronave që do të shpronësohen.
Projekti i Bashkisë së Tiranës për Unazën e Madhe
Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Puna për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në “Komunën e Parisit” dhe në Rrugën e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe. Këshilli Ministrave ka përcaktuar çmimin e tokës së pronarëve të shpronësuar, toka e të cilëve ndodhet në Unazën e Re. Sipas vendimit të qeverisë, një metër katror tokë është vlerësuar me 12.335 lekë. Kostoja totale e shpronësimeve është 39.879.055 lekë. Afati i shpronësimit për të gjithë pronarët mund të përfundojë në muajt e parë të 2009-s, ndërsa përcaktimi me vendimin e qeverisë është e përcaktuar më 3 mars. Hartuesit e projektit të Unazës së Re kanë përpiluar listën e objekteve dhe tokës që do të shpronësohen nga ndërtimi i Unazës. Specialistët kanë përcaktuar dy kategori shpronësimesh, tokë fizike dhe ndërtesat që do të prishen nga ndërtimi i rrugës.
Mundësitë për banorët që do t’u prishen shtëpitë
Të gjithë personat që mund të ngelen jashtë skemës së kompensimit mund të aplikojnë në dy projektet e Bashkisë, duke iu ofruar si mundësi zgjidhjeje për ata që plotësojnë kushtet e përfitimit.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve dy mënyra të trajtimit të strehimit social, të cilat janë bonusi i strehimit dhe bonusi i qirasë. Personat që trajtohen nga Bashkia e Tiranës si të pastrehë, por që janë përzgjedhur si përfitues të bonusit të qirasë, kanë më shumë mundësi përfitimi të bonusit të strehimit në banesat sociale me qira të ulët. Ky është edhe ndryshimi mes dy mënyrave të trajtimit social. Njëra nga mënyrat është bonusi i qirasë, nëpërmjet të cilit familjarët zgjedhin një shtëpi në një nga zonat e Tiranës dhe u paguhet nga Bashkia. Ndërsa familjarët që do të trajtohen me bonus strehimi duhet të marrin një nga shtëpitë që Bashkia e Tiranës po ndërton. Banesa do të jepet nga Bashkia e Tiranës me një kosto më të ulët nga sa mund të gjendet në treg. Vetëm dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi 36 personat që do të trajtohen me bonusin e qirasë.
30 Tetor 2008