E Diel, 1 Nëntor 2026

Numri i punonjësve dhe bilancet financiare, kushti për përcaktimin e SME-ve



Ervin Koçi

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendin tonë tani do të funksionojnë në bazë të një ligji të ri, që do të përcaktojë më qartë kriteret e tyre. Ky ligj, i cili mbështetet në atë ekzistues, pas disa ndryshimeve dhe përmirësimeve të bëra nga
ekspertët e qeverisë, përcakton një ndarje të re për këto lloj biznesesh. Projektligji përcakton rastet e emërtimit të ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe mikrondërmarrjeve mbi bazën e numrit të të punësuarve dhe bilanceve financiare vjetore. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të djeshme disa shtesa e ndryshime në ligjin "Për ndërmarrjet e vogla e të mesme", ose siç njihen ndryshe “SME”-të. Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi dje propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime e shtesa në Ligjin Nr. 8957, datë 17.10.2002, ‘Për ndërmarrjet e vogla e të mesme’, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Çfarë janë ndërmarrjet

Sipas projektligjit të ri, “ndërmarrje” quhet çdo subjekt që ushtron një veprimtari ekonomike, pavarësisht formës së tij ligjore. Këtu përfshihen personat e vetëpunësuar, bizneset familjare, që merren me artizanat ose veprimtari të tjera, si dhe shoqëritë e shoqatat, që kryejnë në mënyrë të rregullt veprimtari ekonomike. “Shifër afarizmi” nënkupton shumat e faturuara nga ndërmarrja gjatë një viti, që i korrespondojnë shitjes në treg të të mirave dhe shërbimeve, ofruar të tretëve. “Shoqëri kapitali” janë shoqëritë aksionare, që kanë për objekt investimin e kapitalit në ndërmarrjet, e vogla e të mesme. “Investimi i kapitalit të përbashkët” është investimi i kapitalit të përbashkët në ndërmarrjet e vogla e të mesme, në çastin e krijimit të tyre ose në fazën e tyre fillestare të zhvillimit. “Fonde të zhvillimit rajonal” janë ato fonde që sigurojnë mbështetje financiare për zhvillimin e rajoneve në fusha të caktuara si: investimet në kapacitetet e prodhimit, ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës, investimet në fushën e kujdesit shëndetësor dhe të edukimit, etj. “Ndërmarrje të vogla e të mesme të reja” vlerësohen ato ndërmarrje, të vogla e të mesme, të cilat janë regjistruar në QKR prej jo më shumë se 12 muajsh”.

Klasifikimi i ndërmarrjeve

Ndërmarrjet, në kuptim të këtij ligji, klasifikohen në: mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme. Kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) përfshin ato ndërmarrje, ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifër afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërmarrje e vogël quhet një ndërmarrje ku punësohen më pak se 50 persona dhe që ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë. Mikrondërmarrje quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 10 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.

Kur nuk quhen SME

Një ndërmarrje nuk mund të vlerësohet si ndërmarrje e vogël apo e mesme nëse 25 për qind ose më shumë e kapitalit apo e të drejtave të votës kontrollohen, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, bashkërisht a individualisht, nga një ose më shumë organe publike. Ndërmarrjet mund të deklarojnë statusin e tyre, si ndërmarrje autonome, ndërmarrje partnere ose ndërmarrje e lidhur, përfshirë të dhënat, që lidhen me tavanet e përcaktuara në nenin 4 të ligjit. Deklarata mund të bëhet edhe në rastet kur kapitali është i shpërndarë në atë mënyrë që nuk është e mundur të përcaktohet se nga kush zotërohet. Në këtë rast, ndërmarrja mund të deklarojë, në mirëbesim, se nga asnjë ndërmarrje e vetme ose nga ndërmarrje të lidhura me njëra-tjetrën bashkërisht nuk zotërohet 25 për qind a më shumë e kapitalit.

Cilat janë kriteret që përcaktojnë një “Ndërmarrje autonome”

“Ndërmarrje autonome” quhet ajo ndërmarrje që: a) është totalisht e pavarur dhe që nuk ka asnjë pjesëmarrje në kapitalin ose të drejtat e votës në një ndërmarrje tjetër dhe anasjellas. b) mund të ketë disa investitorë, të cilët zotërojnë secili më pak se 25 për qind të kapitalit apo të të drejtave të votës, por me kusht që të mos jenë të lidhur. c) nuk klasifikohet si ndërmarrje partnere, në bazë të kuptimit të nenit 4/2, ose si ndërmarrje e lidhur, në bazë të neneve 4/1, pikat 2 e 3, e 4/3. Një ndërmarrje mund të vlerësohet autonome edhe në rastet kur nuk ka asnjë ndërmarrje partnere, megjithëse pragu i 25 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës arrihet apo tejkalohet nga investitorët e mëposhtëm: a) Personat juridikë publikë dhe shoqëritë e kapitalit me kushtin që totali i investimeve të këtyre shoqërive, në të njëjtën ndërmarrje, të jetë më pak se 30 milionë lekë. b) Universitetet dhe qendrat kërkimore jofitimprurëse; c) Agjencitë, përfshirë fondet e zhvillimit rajonal; ç) Autoritetet vendore me buxhet vjetor më të ulët se 250 milionë lekë dhe me më pak se 5000 banorë. Në çdo rast, pragu nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës, me kushtin që investitorët e mësipërm të mos jenë të lidhur, individualisht ose bashkërisht, me ndërmarrjen në fjalë.

Cilat janë kriteret që përcaktojnë “Ndërmarrje të lidhura”

“Ndërmarrje të lidhura” janë ato ndërmarrje, të cilat kanë një ose disa prej marrëdhënieve të mëposhtme me njëra-tjetrën: a) Një ndërmarrje zotëron pjesën më të madhe të aksioneve ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër. b) Një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose të shkarkojë pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të një ndërmarrjeje tjetër. c) Një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër, sipas kontratës, që ka lidhur me atë ndërmarrje, ose sipas një dispozite në statusin e shoqërisë. ç) Një ndërmarrje, e cila si aksionare ose anëtare e një ndërmarrjeje tjetër, kontrollon e vetme, sipas një marrëveshjeje me aksionarët ose anëtarët e tjerë të asaj ndërmarrjeje, shumicën e të drejtave të votës mbi bazë aksionesh ose anëtarësh në atë ndërmarrje. Ndërmarrje të lidhura janë edhe ato, që kanë ndonjërën nga marrëdhëniet e përshkruara në nenin 4/3, nëpërmjet një ose më shumë ndërmarrjeve të tjera apo ndonjë prej investitorëve, të përmendur në pikën 2, të nenit 4/1.

Cilat janë kriteret që përcaktojnë “Ndërmarrje partnere”

“Ndërmarrje partnere” janë të gjitha ndërmarrjet, që nuk klasifikohen si ndërmarrje të lidhura dhe ndërmjet të cilave ekziston marrëdhënia. Një ndërmarrje e tillë zotëron vetëm ose bashkë me një a më shumë ndërmarrje të lidhura 25 për qind apo më shumë të kapitalit, por në çdo rast, jo më shumë se 50 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.

Rregullat për marrjen në punë të punonjësve në SME

Të dhënat që zbatohen për numrin e të punësuarve dhe shumat financiare janë ato që lidhen me periudhën e fundit të llogarive të miratuara dhe që llogariten në baza vjetore. Ato merren parasysh nga data e mbylljes së llogarive. Shuma e caktuar për të ardhurat llogaritet, duke përjashtuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksat e tjera indirekte. Kur në datën e mbylljes së llogarive ndërmarrja zbulon se, në bazë vjetore, ka tejkaluar ose ka rënë poshtë numrit të të punësuarve apo tavanit financiar, të përcaktuara në nenin 4, ajo nuk e përfton ose e humb statusin e ndërmarrjes së vogël, ndërmarrjes së mesme apo të mikrondërmarrjes, me përjashtim të rastit kur këto tavane tejkalohen për dy periudha llogaritjeje, të njëpasnjëshme. Në rastin e ndërmarrjeve të reja, llogaritë e të cilave nuk janë miratuar ende, të dhënat për t’u zbatuar duhet të përftohen nga një vlerësim, në mirëbesim, i bërë gjatë vitit financiar në vazhdim.

Numri i të punësuarve dhe stafit në SME

Numri i të punësuarve korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë. Puna e personave, të cilët nuk kanë punuar gjatë gjithë vitit, puna e atyre që kanë punuar me kohë të pjesshme pavarësisht kohëzgjatjes dhe puna e të punësuarve sezonalë llogariten si fraksione të njësive vjetore të punës, me kohë të plotë. Stafi përbëhet nga: a) punëmarrësit; b) punëdhënësit; c) partnerët, që angazhohen në një veprimtari të rregullt në ndërmarrje dhe që përfitojnë nga përparësitë financiare të ndërmarrjes. Punëtorët në stazh, femrat para ose pas periudhës së shtatzënisë, si dhe studentët, që angazhohen në trajnime profesionale me kontratë, nuk përfshihen në staf. Në ndërmarrjet autonome, të dhënat, përfshirë edhe ato për numrin e të punësuarve, përcaktohen ekskluzivisht në bazë të llogaritjeve të ndërmarrjes. Duke përfshirë edhe numrin e të punësuarve, të dhënat e një ndërmarrjeje, që ka ndërmarrje partnere ose ndërmarrje të lidhura, përcaktohen në bazë të llogaritjeve dhe të të dhënave të tjera të ndërmarrjes ose, aty ku ato ekzistojnë, në bazë të llogarive të konsoliduara të saj, ose të llogarive të konsoliduara, në të cilat ndërmarrja është përfshirë, nëpërmjet bashkimit.

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›