Përfaqësuesit e nanoteknologjisë kërkojnë të investojnë në Shqipëri
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti dje përfaqësuesit e "International Nanotechnology Center", të kryesuar nga prof. Oleg Figovsky. Përfaqësuesit e "International Nanotechnology Center" i propozuan kryeministrit Berisha ngritjen e një qendre kërkimore shkencore dhe të një impianti për prodhimin e nanoteknologjive në Shqipëri. Kryeministri Berisha, ndërkaq, i shprehu grupit të shkencëtarëve mbështetjen e qeverisë për ngritjen e kësaj qendre dhe të këtij impianti prodhues. Nga një parastudim i këtij grupi sugjerohet si vend për këtë impiant parku industrial i Spitallës. Berisha i siguroi ata që qeveria e tij do të garantojë mbështetjen institucionale dhe ligjore të tyre.
Shkurt
Projektligji “Për Kodin Ajror”, operatorët privatë kërkojnë standardet e BE-së
Projektligji për Kodin Ajror po diskutohet në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Deputetët janë njohur edhe me mendimin e operatorëve privatë ajrorë lidhur me këtë draft. Kompanitë kërkuan që në projektligj të bashkëngjiten të gjitha rregulloret e Bashkimit Europian, me qëllim që ato të zbatohen nga të gjithë. Gjithashtu, operatorët privatë kërkuan një pavarësi më të madhe për Autoritetin Civil Shtetëror, duke sugjeruar që punonjësit e kësaj strukture të kenë statusin e punonjësit civil. Pasi janë njohur me mendimin e kompanive private të fluturimeve, Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese do të diskutojë edhe me ekspertët e Ministrisë së Transporteve që kanë hartuar draftin dhe më pas projektligji do t’i nënshtrohet votimit në komision e më pas në Kuvend.
Shërbimi i Kontrollit të Energjisë Elektrike do të pësojë ndryshime
Shërbimi i Kontrollit të Energjisë Elektrike do të pësojë ndryshime. Kësaj strukture përgjegjëse për kontrollin dhe administrimin e energjisë elektrike do t'i hiqet e drejta e veprimtarisë kontrolluese, pasi kjo kompetencë do t'i kalojë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes menjëherë pas privatizimit. Ristrukturimi i këtij shërbimi do të realizohet nëpërmjet 3 degëve, asaj të program-koordinimit, degës së shërbimeve mbështetëse dhe degës juridike. Gjithashtu do të riorganizohet edhe shpërndarja e rajoneve. Rajonet do të jenë: rajoni i Tiranës, Shkodrës dhe Fierit. Sipas drejtorit të këtij shërbimi, Sabri Lana, “vlera totale e borxheve të energjisë elektrike e arkëtuar gjatë këtij viti është rreth 950 milionë lekë”.
BSH: Depozitat bankare u rritën me 104 miliardë lekë
Totali i depozitave në vendin tonë gjatë vitit 2007 u rrit me rreth 104 miliardë lekë, kundrejt një viti më parë, bëri të ditur Banka Qendrore, në raportin e fundit të saj “Mbi zhvillimet ekonomike”. Sipas BSH-së, më shumë u rritën depozitat me afat, me rreth 88 miliardë lekë dhe llogaritë rrjedhëse me 30 miliardë lekë, kurse depozitat pa afat pësuan rënie. Ekspertët e ekonomisë, bën të ditur BSH-ja, vërejnë se ndryshimet e ndodhura në 2007 e kanë rritur me dy pikë përqindje peshën e depozitave me afat, përkundrejt uljes së peshës së atyre pa afat. Në strukturën e këtij grupi, pjesa më e madhe e depozitave, 82 për qind, u përket individëve. Ndërsa pesha e depozitave nga sektori privat dhe ai shtetëror është përkatësisht, 14 për qind dhe 4 për qind. Sipas BSH-së, sistemi bankar shqiptar shfaq një shkallë të lartë të përqendrimit të depozitave, ku 4 bankat e mëdha zënë rreth 70 për qind të totalit të tyre.
Ankandi, dalin në shitje 18.8 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi të mërkurën për shitje me ankand 18.8 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 4 nëntor, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 e 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në 21.10.2009 dhe 23.04.2009
30 Tetor 2008