Qeveria, e vendosur të mbyllë privatizimin e strategjikëve, radhë për INSIG-un
Ervin Koçi
Privatizimi i të gjithë sektorëve strategjikë, ose i gjigantëve të ekonomisë së vendit, ka qenë edhe dje në qendër të axhendës së mbledhjes së radhës të Këshillit të Ministrave. Gjatë kësaj mbledhjeje kryeministri Berisha theksoi se pas miratimit të kontratës për privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike se "tani është radha e INSIG-ut për t’u privatizuar". Ky veprim konfirmon edhe një herë deklarimet e vetëm pak ditëve më parë, kur sërish kryeministri Berisha deklaroi se “qeveria do të hiqte dorë nga të gjitha aksionet që ajo ka në pronësi te gjigantët ekonomikë”. Fjala ishte për privatizimin e rreth 12 për qind të aksioneve që shteti ka te gjiganti i telefonisë mobile AMC, për të cilat pritet të nisë procesi i privatizimit. Dje qeveria miratoi privatizimin e OSSH-së nga kompania çeke “CEZ”. Privatizimi më i përfolur për momentin, ai i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ka qenë kryefjala e kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes. Kryeministri shtoi se menjëherë pas privatizimit të OSSH-së do të vijojë radha e të gjitha privatizimeve të tjera të radhës për gjigantët strategjikë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha i dorëzoi pronarit privat sipërmarrjen e saj më të madhe, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike.
Privatizimi i OSSH-së
Pas dorëzimit në qeveri të raportit të plotë të këtij privatizimi nga komisioni i vlerësimit të ofertave, kryeministri vlerësoi kompaninë çeke “CEZ” si “shpëtimtarin” e OSSH-së. Kreu i qeverisë vlerësoi para kabinetit të tij se “oferta e ‘CEZ’ ka qenë dyfish më e lartë se të gjitha ofertat e tjera”. Asetet e OSSH-së janë rreth 4 miliardë lekë, kurse kompania çeke do të japë 102 milionë euro për privatizimin e OSSH-së. Përveç impaktit financiar, kreu i qeverisë e cilësoi sukses privatizimin e OSSH-së edhe në shërbim të shqiptarëve. “Me privatizimin zgjidhim problemet aktuale me energjinë elektrike”, - tha kryeministri Berisha. Sipas qeverisë, kompania që do të privatizojë OSSH-në do të shlyejë edhe borxhin me Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë. “Me këtë privatizim eliminuam ofertat në kurriz të shqiptarëve, një rritje çmimi të energjisë elektrike”, - tha Berisha. Në raportin e dërguar në qeveri, kompania çeke “CEZ”, që është kualifikuar e vetme në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ka pranuar edhe kushtin e qeverisë shqiptare për të shlyer borxhet afatgjata të KESH-it. Bëhet fjalë për një shumë prej 15.6 miliardë lekësh, që është marrë borxh nga qeveria në formën e kredive, kryesisht për investime në rrjetin shpërndarës të energjisë.
Privatizimi i INSIG-ut
Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, dhjetë kompani të huaja kanë shprehur interes për privatizimin e 61 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë së sigurimeve “INSIG”. Ky proces i shtyrë disa herë pritet të përfundojë në muajin nëntor 2008. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë vlerësuar ofertat e paraqitura nga dhjetë kompanitë dhe pas kësaj do të kryejnë seleksionimin e kompanive që kualifikohen si investitorë strategjikë për të blerë INSIG-un. Përfaqësuesit e kompanive të huaja do të ftohen që ta kryejnë vetë analizën financiare të INSIG-ut. Për këtë proces kompanive të huaja do t’u lihet një muaj afat dhe pas kësaj ata duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave çmimin që ata ofrojnë për blerjen e kompanisë. Shpallja e ofertës më të mirë për privatizimin e kompanisë “INSIG” do të kryhet brenda muajit nëntor, duke i dhënë fund kështu procesit të privatizimit të kompanisë së parë të sigurimeve në vend. Kompania audituese “KPMG” po kryen edhe procesin e vlerësimit të aseteve të kompanisë “INSIG” dhe më pas do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili, në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi, do të përcaktojë dhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Aktualisht qeveria shqiptare ka rreth 61 për qind të aksioneve të “INSIG”-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, “IFC”-ë dhe “BERZH”-i, kanë përkatësisht nga 19.5 për qind secila.
30 Tetor 2008