Urdhri i Mjekut: Spitalet janë në gjendje të mjerueshme
“Spitaleve tona u mungojnë shumë gjëra, ato vazhdojnë të vuajnë për buxhet, për organizim. Në sektorin e shëndetësisë çalojnë drejtuesit e aftë, çalon kërkesa e llogarisë sipas hierarkisë”. Kështu është shprehur Din Abazaj, president i Urdhrit të Mjekut në konferencën për cilësinë dhe akreditimin e spitaleve. Në këtë konferencë, ku të pranishëm qenë edhe kreu i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo, dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Abazaj nuk ka hezituar të paraqesë një tjetër fytyrë të shëndetësisë, atë mjeranen. Sipas Abazajt, sistemi shëndetësor nuk është funksional dhe nuk u përgjigjet kërkesave të pacientit. Presidenti i Urdhrit të Mjekut tha se ministria duhet të heqë dorë nga teoritë, por të zbatojë projekte konkrete.
Problemet
Më tej, kreu i Urdhrit të Mjekut, duke iu referuar Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, e cila pret me qindra pacientë çdo ditë, tha se pacientët denoncojnë probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga kushtet që u ofrojnë ato, të cilat ende lënë për të dëshiruar. "Denoncime kemi plot, por sistemin nuk jemi ne që e rregullojmë, praktikisht. Sistemi rregullohet atëherë kur qeveria ta këtë shëndetësinë prioritetin e saj të parë. Që kur shkon në spital, është i detyruar të shkojë me çarçafët e tij, nuk gjen ushqimin e duhur, ujin e ngrohtë, banjat për të cilat kanë nevojë, banjat janë kolektive, nuk gjen qetësinë fizike", - vijon Abazaj.
Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, deklaron se sistemi shëndetësor shqiptar, edhe pse është në rrugën e reformimit të tij, është ende në udhëkryq dhe ka mjaft probleme, të cilat duhet të merren në konsideratë nga strukturat përkatëse. Sipas tij, ende ka probleme me buxhetin që i është lënë shëndetësisë e nga ana tjetër shqetësues është fakti i mungesës së specialistëve.
Në fjalën e tij, ministri Petrit Vasili tha se përmirësimi i cilësisë në shëndetësi është në një fazë të re, por sipas tij, cilësia e dobët e deritanishme ka bërë që të shpenzohen shumë para. "Kemi një sinkron ndërmjet asaj që investojmë dhe asaj që duhet të investojmë dhe brenda spitaleve tona në drejtim të mënyrës së funksionimit të tyre, në mënyrë që strukturat tona gjithnjë e më shumë të jenë të krahasueshme me ato rreth nesh e më gjerë dhe të jenë të karakterit bashkëkohor", - theksoi Vasili, duke shtuar: "Njëkohësisht ne luftojmë përmes këtyre standardeve dhe protokolleve që të kemi dhe një staf që punon me mentalitetin e ri".
"Elementët e akreditimit kanë bërë terrenin e duhur dhe, krahas standardeve, cilësisë dhe sigurisë, me elementët e rinj që kemi futur, si edukimi në vazhdim, do të thotë që në drejtim të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve dhe të atyre që afrojnë shërbimet, ecim dhe përvijojmë dy linjat kryesore që na bëjnë të kemi një sistem shëndetësor sa më bashkëkohor dhe ku investimi në infrastrukturë të përdoret nga duart e duhura", - përfundoi ministri i Shëndetësisë. Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo, Shqipëria tashmë është një nga pak vendet evropiane që ka një program dhe mjete për të matur cilësinë e shërbimit shëndetësor në vend.
BE
Shumë medikamente false në qarkullim
Në Bashkimin Evropian është shtuar numri i medikamenteve false në qarkullim. Gjatë kontrolleve doganore në hapësirën e BE-së autoritetet kanë sekuestruar, brenda dy muajsh, rreth 34 milionë tableta të falsifikuara. Bëhet fjalë kryesisht për antibiotikë dhe barna kundër kancerit, kolesterinës apo dhimbjeve. “Falsifikimi i barnave është një krim kapital, i cili duhet dënuar me shumë ashpërsi”, - bënë thirrje ministrat evropianë.
Plehrat në qytet
Gjobë ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit
Agjencia Rajonale e Mjedisit ka gjobitur dje me 1 milion lekë ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit numër 1. Kreu i kësaj agjencie, Ilir Bala, e ka marrë këtë masë, pasi punonjës të kësaj ndërmarrjeje kanë transportuar qese me plehra nga Sharra në drejtim të qendrës, ditën e protestës që pushteti vendor zhvillonte para Kryeministrisë. Agjencia rajonale e mjedisit e ka cilësuar këtë veprim si kundravajtje administrative.
Kopenhagë
Hapet Konferenca për Ndryshimet e Klimës
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës u hap në Kopenhagë me thirrje për veprime të ngutshme dhe me sigurime se marrëveshja për të luftuar ndryshimet klimatike është e afërt. Kryeministri danez dhe mikpritësi i konferencës, Lars Lokke Rasmussen, u tha delegatëve të 192 vendeve se bota i ka drejtuar sytë nga ata për një të ardhme më të mirë. Shefi i çështjeve të klimës pranë OKB-së, Yvo de Boer, tha se ka ardhur koha për rezultate, pas dy vite bisedimesh për të zëvendësuar traktatin ekzistues të Kombeve të Bashkuara për mjedisin. Ky traktat, i quajtur Protokolli i Kiotos, skadon në vitin 2012. Delegatët do të përpiqen këtë javë të hartojnë një plan për pakësimin e emetimeve karbonike në atmosferë, të cilat lidhen me ngrohjen globale. Ata duhet të bien dakord për një mekanizëm financimi që të ndihmojë vendet e varfra të përballojnë koston e zhvillimit, ndërkohë që u përmbahen rregullave për pakësimin e gazeve. Kryetarë shtetesh nga 110 vende pritet të marrin pjesë në konferencë në ditët e saj të fundit javën e ardhshme.
VOA
Studimi
Televizori pengon zhvillimin e të folurit
Një studim i kryer nga shkencëtarë pranë Universitetit të shtetit Nju Meksiko e lidh përdorimin e shpeshtë nga fëmijët të televizorit, video-lojërave dhe telefonit celular me shtimin e disa faktorëve negativë të shëndetit të tyre, përfshi sjelljet e dhunshme, mbipeshën dhe përdorimin e drogave. Ndërsa një studim mes foshnjave dhe fëmijëve të vegjël tregon se duke parë televizor qoftë edhe një orë në ditë, kjo afekton mënyrën se si ata flasin, ngadalëson zhvillimin e tyre gjuhësor, ndërsa në marrëdhëniet prindër – fëmijë, televizori bëhet pengesë për komunikim. Mesatarisht 6 orë në ditë, fëmijët amerikanë i kalojnë duke parë televizor, apo përpara video-lojërave dhe kompjuterit. Kjo është më shumë kohë sesa ata shpenzojnë në shkollë duke lexuar e shkruar. Një studim botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë tregon se shtimi i kohës së fëmijëve para televizorit lidhet me shtimin e gjasave për mbipeshë trupore, pirje duhani, sjellje të pahijshme dhe çrregullime në të ngrënë. Ekspertët thonë se prindërit duhet të kujdesen që fëmijët t’i përdorin këto mjete jo më shumë se 2 orë në ditë, si dhe të diskutojnë me fëmijët e tyre për përmbajtjen e programeve televizive dhe lojërave video. Ndërsa Akademia Amerikane e Pediatërve këshillon që fëmijët nën moshën 2-vjeçare nuk duhet të shohin televizor. Televizori dëmton edhe komunikimin mes prindërve dhe fëmijëve. Shkencëtarët morën në shqyrtim 300 fëmijë nga mosha 2 deri 4 vjeç. Pranë tyre u vendosën aparate për regjistrimin e fjalëve që fliteshin nga të rriturit pranë dhe përgjigjet a reagimet me zë që jepnin fëmijët. Rezultatet treguan se kur televizori ishte hapur, të rriturit thanë 770 fjalë më pak sesa kur televizori kishte qenë i mbyllur. E njëjta gjë ndodhte edhe me fëmijët.
VOA