Urdhri i Mjekut, konfliktet pacient-mjek për shkak të korrupsionit dhe neglizhencës
Emanuela Sako
Problemet mes mjekëve dhe pacientëve janë një çështje e pazgjidhur në sistemin shëndetësor. Për këtë arsye shpeshherë mjekët janë vënë nën dhunën e pacientëve. Urdhri i Mjekut, nga vëzhgimet apo ankimet e bëra nga pacientët shpjeguar faktin se përse mjekët akuzohen. Sipas këtij institucioni akuzat përgjithësisht vijnë për shkak të korrupsionit të mjekëve të shprehur nëpërmjet mitmarrjes. Problem tjetër është konstatuar edhe trajtimi mjekësor i diferencuar, ose neglizhenca e mjekëve ndaj pacientëve. Po kështu, një ndër arsyet e konflikteve të mjekëve dhe pacientëve është renditur edhe rastet e vdekjeve gjatë kurimit në spital, për të cilat pacientët kanë fajësuar mjekët. Urdhri i Mjekut,si problem kryesor vendos dhe mënyrën e komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve.
Ndikimi
Përveç ankesave që shfaqin pacientët, Urdhri i Mjekut, vëren se edhe mjekët janë të pamotivuar dhe të pambrojtur. Sipas tyre, Këto arsye qëndrojnë për shkak të pagës së ulët, apo për mjekët ndihen të pavlerësuar dhe të pambrojtur në shumë drejtime. Mjekët shpeshherë kanë kërkuar rritje të pagës dhe mundësi më të mëdha të trajnimeve dhe specializimeve në fushat përkatëse. “Këtu mund të veçonim jo vetëm pagën diskriminuese, të papërfillshme të krahasuar me vlerën dhe rëndësinë e profesionit, me punën dhe përkushtimin e tij në respekt e në shërbim të shëndetit dhe jetës njerëzore, por edhe faktin se nuk i merret parasysh e nuk i vlerësohet se mjeku ka investuar e sakrifikuar shumë nga jeta e tij për formimin dhe arritjen e aftësive profesionale”, - thuhet në raportin e Urdhrit të Mjekut.
Vlerësimi
Sipas këtij institucioni, nuk ekziston një sistem që ta mbështesë mjekun dhe të kontribuojë në funksion të edukimit dhe formimit të tij për të mbajtur të azhurnuara dijet dhe kompetencën profesionale, ndonëse i kërkohen këto t’i ketë në perfeksion dhe në lartësinë e duhur. Po kështu, nuk është akorduar asnjë lloj statusi në mbrojtje të dinjitetit dhe nderit profesional të mjekëve me gjithë dhunën në mënyrë të përsëritur që ushtrohet ndaj tyre. Sjelljet e mjekëve në marrëdhënie dhe komunikim me publikun, në konstatimet Urdhrit të Mjekëve, përbëjnë një të metë jashtëzakonisht serioze me pasoja dhe efekte negative tepër të rëndësishme për mjekët, ashtu edhe për të sëmurët.
Mjekët, harxhojnë shumë pak nga koha e tyre për të komunikuar e për t’u marrë me të sëmurin. Është detyrim etiko-profesional dhe ligjor për mjekun që të informohet deri në detaje për të sëmurin dhe për sëmundjen e tij, si dhe të sqarojë e ta informojë deri në bindje të plotë e me detaje vet të sëmurin dhe familjarët e tij rreth sëmundjes, përfitimeve dhe rreziqeve të mjekimit e deri të perspektiva e tij e afërt dhe e largët. Mungesa e një komunikimi të tillë, veçanërisht kur i sëmuri nuk shkon mirë apo vdes, lënë shumë pika të errëta mbi punën e mjekut. Kjo e ngarkon me faj mjekun edhe nëse ai ka qenë korrekt me punën e tij.
Rruga kryesore e Rubikut merr emrin e humanistes austriake, Mariane Graf
RUBIK - Prej ditës së djeshme rruga kryesore që ndan mes për mes qytetin e Rubikut, do të mbajë emrin e humanistes së njohur austriake, sidomos në trevën e veriut të vendit, zonjës Mariane Graf. Bamirësja dhe drejtuesja e shoqatës “Albanian-Austria Partnershaft”, zonja Graf ka mbi 13 vite që punon pa u lodhur në misionin e saj humanitar në Mirditë, Fushë-Arrës, Pukë etj. Vetëm gjatë vitit 2008, ajo bëri të mundur ndërtimin e një kompleksi banesash sociale, me kushte komode, ku u strehuan disa nga familjet më në nevojë të zonës së Rubikut. Ajo ka kontribuar gjithashtu edhe në ndërtimin apo rikonstrukturimin e qendrave shëndetësore në disa fshatra, shkollën fillore në fshatin Rreja e Zezë, përfundimin e fazës së parë të Qendrës së Dialogut, në një vend piktoresk ku dikur ka qenë Kuvendi Franceskan i Rubikut. Mariane Graf njihet edhe për financimin e Qendrës Kulturore të fëmijëve, të rrugëve, pritave malore, trotuareve ndriçimin publik në Rubik etj. Pikërisht për këtë kontribut të çmuar këshilli bashkiak i Rubikut ka vendosur që rruga kryesore e qytetit të mbajë emrin e kësaj humanisteje të njohur në të gjithë zonën. Teksa po bëhej ceremonia, zonja Graf ndodhet e shtruar në spitalin e Gracit në Austri, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.
4 Qershor 2009