Ndreu, në krye të PS së Tiranës
Aristir Lumezi
Pjerin Ndreu, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u zgjodh dje kryetari i Partisë Socialiste i rrethit të Tiranës. Votimi i asamblesë së zgjeruar të rrethit Tiranë u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve, ku Ndreu mori 116 vota pro kandidatin, kurse kundërshtari Bledar Doracaj, anëtar i forumeve të PS, mori vetëm 39 vota. Nga 280 anëtarë të kësaj asambleje që pritej të merrnin pjesë në votim, vetëm 155 prej tyre morën pjesë në këtë votim. Socialistët iu rikthyen strukturës së rrethit ashtu si dhe në 2007, ku kjo strukturë u shkri për t'u zëvendësuar me qarkun socialist. "Do punoj për një bashkim njerëzish me ideale, që punojnë pa kushte, pa paragjykime dhe që kanë kurajo për të marrë përgjegjësi. Sot neve na duhet të gjejmë urat e takimit dhe jo të përçarjes sepse kemi një mision shumë të vështirë, ardhjen e PS në pushtet", u shpreh Ndreu.
Procesi zgjedhor për krerët lokalë të PS, ka nisur që të shtunën dhe përfundon sot, ndërsa janë dhe dy rrethe, Elbasani dhe Fieri, ku votimi do të përsëritet në balotazh. Në këto zgjedhje, PS ka tentuar që të sjellë një frymë të rinjsh, të cilët edhe pse jo me ndonjë eksperiencë drejtimi në krye të degëve lokale, janë vlerësuar për kontributet që kanë dhënë në momente të caktuara brenda kësaj partie. Krerët e rinj që po zgjidhen, do të drejtojnë bazën socialiste, në një periudhë të vështirë, pasi vitin tjetër do të jenë zgjedhjet e pushtetit vendor, të cilat janë tepër të rëndësishme për PS-në, e cila i humbi zgjedhjet parlamentare të 2009. Socialistët kanë nisur procesin final të zbatimit të statutit të ri, të zgjedhjes së kryetarëve të rretheve. Në Vlorë, në krye të PS së rrethit u zgjodh Kujtim Sulçe, i cili mban dhe postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Në Elbasan, procesi i votimit nuk arriti të zgjedhë kryetarin e saj të rrethit, për shkak të mungesës së fituesit me 50 plus 1 vota, duke e çuar procesin në balotazh, që do të zhvillohet javën e ardhshme. Pjesëmarrësit në procesin e votimit kanë hedhur votën e tyre në kuti për njërin prej 3 kandidatëve, Arben Kamami, Astrit Halili dhe Ndriçim Hysa. Mësohet se pas numërimit të votave ka rezultuar se Astrit Halili ka marrë 126 vota, Ndriçim Hysa 106 vota dhe Arben Kamami 92 vota. Ndërsa në qytetin e Fierit, balotazhi shtyu për të hënën zgjedhjen e kryetarit socialist të rrethit. Nga 39 kandidatë të votuar nga baza e PS, Asambleja e Përgjithshme e PS ka vlerësuar të paraqesë dje për votime tre kandidatë, Oldrin Alushi, Pëllumb Hazizi dhe Xhevit Bushi. Mbas përfundimit të numërimit doli se, nga 324 votues, kishin votuar për Pëllumb Hazizin 139, për Xhavit Bushi 130, kurse për Oldrin Alushi kishin votuar 48. Socialistët e Lushnjes kanë zgjedhur Bujar çelën në postin e kryetarit të degës së partisë për rrethin. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Bujar çela rezultoi fitues me 168 vota, kundrejt 115 votave të kandidatit Astrit Xheka. Më parë, nga gara ishte tërhequr kandidati Ilirian Bakiasi. Ndërsa në Mirditë, fitues në zgjedhje doli Pjetër Pjetri, me 63 vota, ndaj Gëzim Kaçorrit, 54 vota. Drejtuesit e rretheve dalin nga votimi në mbledhjen e asamblesë së zgjeruar të rrethit.
rezultatet e zgjedhjeve
Tiranë
Pjerin Ndreu
Vlorë
Kujtim Sulçe, 163 vota
Korçë
Muharrem Meko
Lushnje
Bujar çela
Mirditë
Pjetër Pjetri
Sarandë
Gjergj Mërkuri
Delvinë
Sotir Davella
Dibër
Ulusi Manja
Mat
Myslim Zeneli
Bulqizë
Artur Kalën.
Devoll
Arben Agolli
Elbasan (balotazh)
Astrit Halili, 126 vota
Ndriçim Hysa, 106 vota
Arben Kamami, 92 vota
Fier (balotazh)
Pëllumb Hazizi, 139 vota
Xhavit Bushi, 130 vota