E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Rezoluta e PE, hetim materialeve nga Arkiva e Shtetit



Aristir Lumezi

Sekretari për çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, duke lexuar rezolutën e Parlamentit Europian, miratuar pak ditë më parë, shprehet se në të jepet rruga e zgjidhjes së krizës. Sipas Islamit, rezoluta përcakton qartë hetimin e materialeve zgjedhore, ndërsa kërkon që "Qeveria dhe opozita të fillojnë urgjentisht negocimet për të ngritur komisionin hetimor, me përbërje e drejtim nga opozita dhe objekt hetimi të kufizuar vetëm mbi materialet zgjedhore", siç ofrohet nga PE, përmes rezolutës së fundit. Për Islamin, nuk ka asnjë mundësi për të ngatërruar apo përzier nocionin e fletëve të votimit dhe atë të materialeve zgjedhore. "Nuk mendoj se ka hapësirë për "obstruksion fëminor" me këtë "ofertë", të cilin ekspertët ligjorë e kanë shumë të qartë dhe është vendosur në rezolutë pas shumë konsultimesh politiko-juridike", shprehet Islami. Duke komentuar deklaratën e të premtes së kreut socialist se, nëse digjen fletët e votimit, PS ndërpret çdo marrëdhënie me Parlamentin, Islami shprehet se kjo deklaratë bie në kundërshtim pikërisht me rezolutën e PE-së. Sipas tij, "kjo deklaratë duket si një pretekst jo serioz, minimalisht për të keqinterpretuar rezolutën e PE dhe në rastin ekstrem për të mospranuar kuadrin e zgjidhjes të ofruar nga PE, pra kundërshtuar në thelb rezolutën e PE. Kjo sjellje mund të jetë interesante për konsum të brendshëm partiak, por përfundimisht do ta shtynte opozitën në një marrëdhënie ngërçi edhe me Parlamentin Europian. Sekretari socialist në analizën e tij që i bën rezolutës së PE-së, shprehet se ajo përcakton qartë se si vjen zgjidhja e krizës politike. Sipas tij, rezoluta kërkon ngritjen sa më shpejt të komisionit hetimor dhe dhënien e konkluzioneve të tij, në një kohë sa më të shpejtë. Ndërsa me daljen e përfundimeve të hetimit, duhet të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore. Islami kujton se ashtu siç rekomandon dhe rezoluta, palët politike duhet të përgatiten sa më shpejt për zgjedhjet e ardhshme vendore, pasi deri më 8 gusht, Presidenti i Republikës do duhet të shpallë datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm.
Zoti Islami, pak ditë më parë Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Shqipërinë, e cila është komentuar si gjithnjë nga këndvështrime të ndryshme, nga e majta dhe e djathta. Cili është vlerësimi juaj shkurtimisht për këtë rezolutë?
Shkurtimisht mund ta përcaktoj si një rezolutë realiste dhe motivuese. Aty jepen arritjet, evidentohen mosarritjet e problemet dhe riformulohen sfidat e "detyrat e shtëpisë"....
Si mund të cilësohet kjo rezolutë, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, pozitive, nxitëse apo ... dhe si ka ndikuar kriza politike në procesin e liberalizimit të vizave?
Fryma e rezolutës për këtë çështje është politikisht pozitive, por edhe njëkohësisht nxitëse për të plotësuar të gjithë kriteret teknike; besoj se brenda vitit shqiptarët do të lëvizin lirisht në Europë; dhe pavarësisht se opozita këtë çështje nuk e ka trajtuar me inteligjencë, ajo nuk duhet monopolizuar nga maxhoranca. Pavarësisht ndonjë përpjekje taktike të gabuar, për të lidhur "krizën aktuale politike" me "liberalizimin e vizave" në Parlamentin Europian dhe institucionet e tjera evropiane, vlerësimet dhe vendimet kanë qenë në favor të liberalizimit të vizave për shqiptarët gjithnjë me kushtin që Qeveria të plotësonte kriteret teknike.
Si trajtohet kriza aktuale politike në këtë rezolutë të PE, pasi interesimi i politikës shqiptare ka qenë mjaft i madh nga përcaktimet që ajo do të bënte për daljen nga kjo situatë?
Po përpiqem të jem i saktë dhe i paanshëm në "leximin" e Rezolutës. Së pari, në paragrafin 4 thuhet se PE "ka shpresë që Qeveria dhe opozita do të kuptojnë rëndësinë kapitale të kapërcimit të polemikave politike aktuale, nëse duan që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit në BE" dhe "ripërsërit përfundimin se është koha e madhe që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për krizën politike..". Së dyti, në paragrafin 5, PE i) "nënvizon faktin se funksionimi i plotë i institucioneve përfaqësuese (veçanërisht parlamentit) është një kriter prioritar për integrimin në BE"; ii) "përshëndet vendimin e opozitës për të marrë pjesë në punimet e Parlamentit" por iii) "shpreh keqardhjen që ende konsensusi mes palëve nuk është gjendur edhe pas bisedimeve të lehtësuara nga BE". Mesazhi është i qartë për lidershipin politik, ndonëse i thënë me gjuhë diplomatike: "vendosni interesat integruese mbi ato partiake apo individuale sepse do të pengoni integrimin e vendit në BE".
Duke lexuar këtë Rezolutë me vëmendje, cili është kuadri ligjor që ajo përcakton për zgjidhjen e krizës politike në vend?
është hera e parë që PE në rezolutën e saj është më i qartë se më parë, duke dhënë jo vetëm si deritani parimin për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike "në respekt të transparencës dhe të respektimit të plotë të Kushtetutës", por këtë radhë ka përcaktuar edhe kuadrin e orientimin për zgjidhjen e krizës. Përsa i përket "kuadrit të zgjidhjes së krizës" në rezolutë, PE ofron dy elementë i) përbërjen e komisionit hetimor, me shumicë dhe kryetar që i përkasin opozitës (ky është më shumë lëshim i maxhorancës sesa respektim strikt i ligjit) dhe ii) objektin e hetimit (për të cilin është zhvilluar debati kryesor dhe përbën thelbin e mosmarrëveshjeve që nuk lejojnë gjetjen e zgjidhjes së krizës) "të hetohet materiali zgjedhor" (ky element përbën respektim strikt të nenit 178.6 të Kodit zgjedhor). Përsa i përket kohës/urgjencës për zgjidhjen e krizës në rezolutë jepen këto 2 elementë i) "komisioni hetimor duhet të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur"; dhe ii) "përfundimet e komisionit hetimor duhet të jepen mjaftueshmërisht shpejt". Kurse përsa i përket orientimit të zgjidhjes së krizës PE rekomandon që palët të orientohen për zgjidhjen në të ardhmen në vend që të vazhdojnë mosmarrëveshjet për të shkuarën; në rezolutë thuhet se "mbi bazën e përfundimeve të komisionit hetimor dhe të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, Parlamenti duhet të miratojë ndryshimet në kodin zgjedhor shumë më parë se të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale". Sepse data 8 gusht 2010 është afati i fundit kur Presidenti do të dekretonte datën e zgjedhjeve që duhet të zhvillohen jo më vonë se data 8 maj 2011, e dielë.
çdo të thotë që objekti i hetimit të jetë "të hetohet materiali zgjedhor"..?
Ky "mekanizëm"/objekt hetimi që ofron PE për të prerë nyjen gordiane dhe gjetur zgjidhjen afatgjatë midis qëndrimeve diametralisht të kundërta për "hapjen dhe moshapjen e kutive të votimit" është tërësisht ligjor. Ky përcaktim është një lexim inteligjent dhe perifrazim diplomatik i nenit 178.6 të Kodit Zgjedhor nga PE dhe njëkohësisht një interpretim i saktë i Kushtetutës përsa i përket përcaktimit të termit "transparencë për zgjedhjet". Ndryshe të thuhet se "objekti i hetimit është materiali zgjedhor" do të thotë se ky është niveli i transparencës që mund/duhet të arrijë komisioni hetimor në respekt të kushtetutës dhe të kodit zgjedhor. çdo përpjekje e opozitës për ta kërkuar "transparencën" përtej këtij përcaktimi do të thoshte indirekt mospranim i kuadrit të zgjidhjes së krizës së ofruar nga PE. Po ashtu çdo përpjekje e maxhorancës për ta tkurrur këtë përcaktim apo mospranuar "përbërjen e drejtimin e komisionit" do të ishte mospranim i kuadrit të zgjidhjes së krizës. Edhe keqintepretimet e këtyre përcaktimeve nga të dy palët do të klasifikoheshin si përpjekje për të mos pranuar rezolutën dhe për rrjedhojë "minuar zgjidhjen e krizës".
...çfarë duhet bërë në këtë rast me "fletët e votimit"?
Ripërsëris se sipas rezolutës së PE, niveli i hetimit rekomandohet të jenë "materialet zgjedhore"; në Kodin Zgjedhor jepet përkufizimi i qartë dhe i saktë çfarë quhet "kuti e materialeve zgjedhore" dhe çfarë quhet "kuti e fletëve të votimi". Për rrjedhojë nuk ka asnjë mundësi për të ngatërruar apo përzier këto dy nocione dhe duke iu referuar rezolutës së PE, nuk mendoj se ka hapësirë për "obstruksion fëminor" me këtë "ofertë" të cilin ekspertët ligjorë e kanë shumë të qartë dhe është vendosur në rezolutë pas shumë konsultimesh politiko-juridike. Nëse debati midis palëve vazhdon me temën e radhës "digjen apo nuk digjen fletët e votimit" pasi PE qartas ka ofruar kuadrin për objektin e hetimit, kjo do ta bënte lidershipin politik jo vetëm të dukej i pamaturuar, siç tanimë vlerësohet, por edhe qesharak në sytë e eurodeputetëve. është momenti për ta ndërprerë këtë polemikë shterpë dhe hequr dorë nga loja banale e tipit të vjetër ballkanik për pushtet. Përfundimisht gjykoj se qeveria dhe opozita duhet me urgjencë të fillojnë negocimet për të "ngritur komisionin hetimor me përbërje e drejtim nga opozita dhe objekt hetimi të kufizuar vetëm mbi materialet zgjedhore". Normalisht në këtë rast, KQZ në respekt strikt të nenit 178.6 të Kodit Zgjedhor do të duhet të verë sa më shpejt në dispozicion të gjithë "materialin zgjedhor" për komisionin hetimor përmes Arshivës së Shtetit (hapja e kutive te materialeve zgjedhore dhe e fletëve të votimit është e drejte ekskluzive e dhënë me ligjin zgjedhor vetëm KQZ dhe askujt tjetër).
Kreu i PS-së, Rama ka deklaruar se nëse "digjen fletët e votimit" PS ndërpret çdo marrëdhënie me Parlamentin, a e afron kjo zgjidhjen apo debati vazhdon dhe zgjidhja largohet?
Ky më duket pretekst jo serioz. Minimalisht për të keqintepretuar rezolutën e PE dhe në rastin ekstrem për të mospranuar kuadrin e zgjidhjes të ofruar nga PE, pra kundërshtuar në thelb rezolutën e PE. Kjo sjellje mund te jetë interesante për konsum të brendshëm partiak, por përfundimisht do ta shtynte opozitën në një marrëdhënie ngërçi edhe me Parlamentin Europian. Nuk dua të besoj ende se kjo është strategji apo përmbajtje e veprimit politik të PS, por edhe si taktikë ka qenë e mbetet e gabuar dhe tanimë tërësisht e ezauruar. PS radikale ka humbur më shumë se çmendohet, (edhe në sytë e ndërkombëtarëve ndryshe nga çmendohet se ka fituar sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar) se ka fituar por nëse ajo vazhdon sjelljet radikale humbja mund të jetë fatale në zgjedhjet vendore...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›