E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi financiar, kritere të reja



Bisedoi Erald Kapri

Në një intervistë për gazetën "Panorama", Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Elvis Cefa flet për procesin e kompensimit të pronarëve si dhe të shqyrtimit të 8 mijë kërkesave për njohje pronësie. Sipas kreut të AKKP-së, aktualisht ka nisur procesi për shqyrtimin e 8 mijë kërkesave.Por nga një verifikim paraprak i tyre ka rezultuar se më shumë se 60 për qind kanë probleme me dokumentacionin. Cefa shprehet se ish pronarët mund të plotësojnë dokumentacionin që kërkon ligji, në rast të kundërt ata do të marrin një përgjigje negative. Nga ana tjetër, Cefa flet edhe për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara që pritet të bëhet në muajt e vjeshtës. Aktualisht janë duke u diskutuar kritere të reja në një vendim organik për kompensimin financiar të subjekte të shpronësuara.
Zoti Cefa, sot nis procedura e kompensimit financiar të pronarëve të tokave të zëna me ndërtime pa leje. çfarë duhet të kenë parasysh këto subjekte që të përfitojnë këstin e parë?
Normalisht këto subjekte të drejtën e përfitimit të kompensimit e kanë përfituar me vendime përkatëse të Këshillit të Ministrave. Janë 6 vendime të Këshillit të Ministrave të cilët kanë përcaktuar kompensimin e rreth 345 pasurive. Në këtë këndvështrim, subjektet thjesht dhe formalisht do të identifikohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e cila më pas do të bëjë edhe shpërndarje respektive të shumave në llogaritë bankare të tyre. Janë një sërë dokumentesh që shërbejnë për të siguruar AKKP-në në mënyrë që subjekti që paraqitet të jetë realisht subjekti që merr shumën. Krahas dokumentit të identifikimit duhet edhe dëshmia e trashëgimisë, pasi fatkeqësisht mund të jetë rasti që personave që u ka dalë emri në vendimin e Këshillit të Ministrave nuk jetojnë më dhe në këtë rast pagesën e merr trashëgimtari i tyre ligjor. Po ashtu jemi para rastit kur për një pasuri ka shumë bashkëpronarë, për efekt AKKP-ja ka parë të arsyeshme të integrojë në vendim që një person të mund të pajiset me prokurorë të posaçëm, i cili mund të veprojë në emër të të gjithëve. Sigurisht kjo prokurë do të kërkojë vullnetin e të gjithë bashkëpronarëve. Në tërësi kjo është procedura e parashikuar për këtë lloj kompensimi që ne mendojmë se do të jetë shumë i shkurtër pasi nuk ka nevojë për vendimmarrje dhe vendim administrativ pasi vendimmarrja është marrë nga Këshilli i Ministrave. Pra AKKP-ja thjesht do të bëjë shpërndarjen e parave që janë vënë në dispozicion nga ALUIZNI.
Aktualisht keni të gjithë arkivën dhe dokumentacionin në Tiranë. Si po procedoni me 8 mijë kërkesat të cilat kërkojnë njohjen e pronësisë?
Në një kontroll paraprak të këtyre 8 mijë kërkesave, fatkeqësisht ka rezultuar se shumica dërmuese e tyre nuk janë plotësuar nga ana formale e ligjore. Në shume raste mungon dokumentacioni. Shpeshherë kanë paraqitur fotokopje, madje dhe në shumë raste nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion por vetëm një kërkesë për të kapur afatin ligjor. Sigurisht që ne të gjithëve do tu japim një shans të dytë. Të gjitha këto kërkesa që kanë rezultuar me mangësi do të përpunohen nga një sektor i veçantë në AKKP, i cili në strukturën e re organizative është krijuar posaçërisht për këtë detyrë. E kam fjalën për sektorin e shqyrtimit paraprak, i cili ka pikërisht detyrën e verifikimit paraprak të dosjeve dhe njoftimin e subjektit për plotësimin e dosjes. Vetëm atëherë kur dosja të jetë e plotë nga ana formale, ajo do të kalojë në trajtim në sektorin përkatës për vendimmarrje. Fatkeqësisht numri i dosjeve me mangësi kalon edhe mbi 60 për qind të numrit të tyre. Kjo sigurisht që e ngadalëson procesin dhe e vështirëson atë. Për rastet kur subjektet e shpronësuara që brenda afatit prej 30 ditësh nuk plotësojnë dokumentet e nevojshme, do të na duhet të japim vendime negative pasi ne do të duhet të respektojmë edhe afatin tonë ligjor dhe s'mund të presim pafundësisht. Afti përfundimtar është fundi i vitit 2011.
Por kur do të nisë ky proces në mënyrë të përshpejtuar?
Ky proces ka filluar ndërkohë...
Janë njoftuar subjektet që të vijnë të plotësojnë dokumentacionin?
Absolutisht që po. Kjo punë bëhet me grupe dosjesh sepse nuk mund të merresh 5 mijë dosje njëherësh dhe të futen paralelisht në trajtim. Procesi ka filluar. Dosjet fillimisht merret 100-150 njëherësh, pasi varet nga grada e vështirësisë që kanë për tu shqyrtuar, shpërndahen në sektorët përkatës dhe njoftohen subjektet përnjëherësh.
Kur mendoni të bëni kompensimin e radhës financiar?
Kompensimi i radhës financiar është shtyrë për shkak se Agjencia po merret me kompensimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Menjëherë sapo të mbarojë ky proces, që shpresoj të mos jetë i gjatë në kohë, Agjencia sigurisht që do të fillojë atë që ka detyrën e vet prioritare, kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara. Ndoshta në kriteret e vendimit organik të Këshillit të Ministrave, mund të kemi ndryshime në sensin që të rritet rrethi i subjekteve që do të përfitojnë, çka nënkupton që ndoshta mund të kemi një eliminim të disa kritereve kufizuese që ishin në vendimet e Këshillit të Ministrave deri tani. Por kjo do ti mbetet kohës pasi akoma nuk është informacion përfundimtar. Po diskutohet rreth disa varianteve të mundshme për të hequr disa kufizime por këto do të mishërohen vetëm kur të miratohen ndryshimet përkatëse.

Hipotekat, "Linjë Direkte" për ankesat

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bëri me dije se nga dita e sotme do të fillojë shërbimi i numrit jeshil "Linja Direkte", ku qytetarët do të mund të komunikojnë çdo ankesë të tyre. Sipas ZRRP-së, ky projekt ka si qëllim një komunikim efikas dhe të ndërsjellët me publikun, në përputhje me përmbushjen e rregullave dhe përmbajtjen e etikës, "Linja Direkte", mundëson një komunikim me publikon, nëpërmjet mesazheve zanorë në numrin e telefonit të ZQRPP-së, ++ 355 (0) (4 ) 2403305, SMS-ve në numrin mobile (celular) ++ 355 (0) 67 20 20 234 të vënë në dispozicion për publikun nga ZRPP-ja, e-mail në adresën elektronike e-mail: ankesa@zrpp.gov.al dhe regjistrimin e mesazheve në faqen zyrtare të internetit të ZRPP-së, ëëë.zrpp.gov.al sipas ZRRP-së, "Linja Direkte", është ideuar dhe realizuar, duke pasur si objektiv të saj kryesor, transparencën dhe luftën antikorrupsion. Në funksion të këtij objektivi, kjo linjë, do të sigurojë mundësinë për publikun në depozitimin e mesazheve dhe ankesave të mundshme të tij për vonesa dhe shërbime të papërshtatshme, apo edhe për denoncime të praktikave korruptive, të përpunojë e vlerësojë informacionin, të adresojë për zgjidhje, në bazë të ligjeve dhe rregullave të gjitha çështjet, si dhe të vendosë një komunikim efikas dhe të ndërsjellët me publikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›