Urgjenca e Kardiologjisë, 15 shtretër për 200 pacientë në ditë
Kushtet e këqija, në të cilat pacientët marrim ndihmën e parë, vazhdojnë të mbeten prezente në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Kjo pohohet tanimë, jo vetëm nga pacientët, ankesat e të cilëve nuk kanë fund, por edhe nga stafi mjekësor. Sipas këtyre të fundit, ka ardhur koha që shërbimet e urgjencave dhe përkatësisht ajo e Kardiologjisë të reformohet dhe të punohet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për pajisjen e tyre me shtretër, medikamente,
pajisje të ndryshme dhe gjithçka nevojitet. Në urgjencën e kardiologjisë vetëm ditën e djeshme ka pasur mbi 180-200 raste të pacientëve që kërkonin ndihmë të menjëhershme nga ana e bluzave të bardha. Por, përveç fluksit të pacientëve, një nga problemet e shumta është se në këtë urgjencë nuk ka kushte të mjaftueshme për përballimin e pacientëve, pasi numri i shtretërve është më pak se 15, ndërkohë që numri i vizitave shumë herë më i lartë. Kështu, mungesa e shtretërve dhe kushtet tepër të këqija bëjnë që edhe për vizitën e menjëhershme të presësh në radhë, pavarësisht se shëndeti i dobët nuk të lejon të presësh gjatë në këmbë. Nëse një pacient ka nevojë të menjëhershëm për mjekim, atëherë mjekët janë të detyruar që të ngrenë një tjetër të sëmurë, që mund të ketë ardhur më përpara, por që mund ta ketë rimarrë disi veten, për të shtrirë një tjetër rast që është më rëndë. Panorama që ofrohet në këtë urgjencë është e njëjta për çdo ditë. Mjekët kardiologë shpjegojnë se, për shkak të kushteve tepër të vështira, edhe puna vështirësohet shumë, marrëdhënia me familjarët gjithashtu. Në këtë repart, prej kohësh pacientët mjekimin e tyre e marrin nëpër karrige, ndonëse në fillim të vitit u premtua nga ana e drejtuesve të QSUT-së për përmirësim të kushteve dhe shtim të numrit të shtretërve.
Urgjenca e Kardiologjisë
Shërbimi i urgjencës së kardiologjisë është mbipopulluar aq shumë, saqë edhe me mik vështirë të gjesh një vend bosh. Fluksi i pacientëve jo vetëm nga kryeqyteti, por nga i gjithë vendi ka mbingarkuar pavijonin dhe punën e përditshme të mjekëve specialistë. Por, çelja e javës së re ka nxjerrë edhe ide të reja për ta rregulluar sadopak gjendjen me zgjidhje alternative. Sipas mjekëve të shërbimit të kardiologjisë, tashmë në këtë pavijon shtrohen dhe mbahen vetëm rastet e urgjencës, ata pacientë që e kanë pothuajse të pamundur të ndjekin kurën në shtëpi apo të presin me ditë të tëra për të kryer ekzaminime e ndërhyrje të tjera. Pjesa tjetër, pasi të vizitohet, të marrë mjekimin dhe të largohet për në shtëpi. Sugjerimi për shtrimin e rasteve të urgjencës dhe përzënia e të tjerëve për në shtëpi ka ardhur nga drejtoria e qendrës spitalore universitare Nënë Tereza. Kjo, për arsye të fluksit të pacientëve. Si zgjidhje alternative pritet të ulë mbipopullimin, të edukojë të sëmurët, në mënyrë që të respektojnë sistemin e referimit. Nga ana tjetër, pritet të zgjidhë edhe ngarkesën e punës së mjekëve dhe personelit mbështetës që punojnë pranë këtij shërbimi. Mjekët duhet tu shpjegojnë pacientëve të urgjencës, se cilët prej tyre kanë avantazhe për të qëndruar dhe cilët nuk janë edhe aq urgjentë, por kanë mundësi të presin edhe ca.
Pacientët
Mungesa e shtretërve bën që çdo qytetar, i cili drejtohet për të marrë ndihmë mjekësorë në këtë urgjencë të presë derisa të lirohet një shtrat ose detyrohet të akomodohet në karrige të thjeshta. Përveçse e ndeshim vetë këtë fenomen, fakti pohohet edhe nga pacientë të ndryshëm që rrinë ulur në karriget e urgjencës së kardiologjisë. Kam sjell urgjentisht burrin me taksi në këtë pavijon, por më duhet të presë në karrige, kjo gjë më ndodh shpesh, pasi burri vuan nga zemra. Këtu nuk ka kushte, pacientët trajtohen shumë keq dhe, mbi të gjitha, ka mbipopullim të tepërt, ka pohuar për gazetën Dituria, nga Sauku. Ajo ka theksuar se, përveçse e sjell bashkëshortin në urgjencë çdo muaj, i është dashur që, kohë më parë, ta shtrojë në pavijonin e kardiologjisë, një kat më lart se urgjenca, për ti kryer pastrimin e zemrës, që i ka kushtuar plot 1 milion lekë të vjetra. Mendo që këtë gjë duhet ta bëj çdo vit, shuma e parave që duhet të paguajmë është e madhe, ndërkohë që vijmë këtu me rekomandim dhe librezë të sigurimeve shoqërore. Nuk e kuptojmë fare se si funksionon skema e sigurimeve dhe sa na hyn në punë, sepse kur kemi halle del që të gjitha gjërat paguhen, ankohet Dituria.
Liri Mëhalla