Kosova, Haliti në Asamblenë e NATO-s
Një delegacion i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Xhavit Haliti, në përbërje të cilit janë edhe Naim Maloku e përfaqësuesi i komunitetit serb, Sllobodan Petroviç, u nis dje pasdite për në Valencia të Spanjës, për të marrë pjesë në punimet e sesionit të Asamblesë së 54-të Parlamentare të NATO-s, me ftesë të kësaj Asambleje. Delegacioni, para nisjes, bëri të ditur se një nga temat e diskutimit të Komisionit mbi dimensionin civil të sigurisë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s është Raporti i raportuesit gjeneral, Vitalino Cannas, "Kosova dhe e ardhmja e sigurisë në Ballkan". Gjatë sesionit vjetor, pritet që delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës të zhvillojë edhe takime të ndryshme me deputetë nga shtetet anëtare të NATO-s, vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende tjera që marrin pjesë, për t‘ju kërkuar atyre ndihmën për integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike.