E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Urime për pranimin e statusit të vendit kandidat të BE-së”

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, në Tiranë

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani zhvilloi dje një takim informal me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë me të cilët diskutoi rreth zhvillimeve më të fundit të Reformës Legjislative kryer në kuadër të detyrimeve të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me Programin e Qeverisë.
Ambasadorët e uruan ministrin për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar në Bashkimin Evropian si dhe e përgëzuan për progresin e arritur në integrimin e kuadrit ligjor vendas në përputhje me atë evropian.
Në kuadër të këtij takimi ministri u shpreh, dhe rreth masave që po ndërmerren në përputhje me  angazhimeve të dala nga proceset e integrimit evropian dhe  problematikave të ngritura në Progres Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2009.
“Ministria e Drejtësisë është angazhuar në përmbushjen me vizion të qartë dhe ritëm të lartë të të gjitha funksioneve të saj, ku rolin më të rëndësishëm e ka zënë Reforma në Drejtësi”, ju bëri ët ditur ministri, ambasadorëve.
Më tej, ministri i informoi të ftuarit  në detaje mbi  masat e marra me karakter ligjor, institucional dhe administrativ, të cilat sipas tij, “synojnë  forcimin e shtetit ligjor, rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe transparencën e punës së organeve të drejtësisë”.
Takimi u prit pozitivisht nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, të cilët deklaruan mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare në hapat e mëtejshëm që do të hedhë në kuadër të procesit të Reformës në Drejtësi. 
Ndërkohë, mësohet se, pas daljes së Progres Raportit, Ministria e Drejtësisë ka filluar punën për draftimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi, e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të detajuar qëllimet, parimet dhe planin konkret të veprimit mbi nismat legjislative dhe masat ekzekutive për reformimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Parashikohet që strategjia të ketë kaluar të gjitha etapat e konsultimit dhe miratimit brenda vitit 2010.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›