E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urimet per 8 marsin

09/03/2010 Reagimi i PS-së

Shalësi: Berisha t’u shpjegojë qytetarëve rritjen e energjisë

Partia Socialiste e ka cilësuar diçka pozitive vendimin e kryeministrit për t’iu drejtuar qytetarëve për dialog. Në emër të PS-së ka qenë deputeti Eduard Shalësi ai që i ka sugjeruar dje kryeministrit Berisha se cilat shtresa duhet të takojë gjatë takimeve me qytetarët. “Përpara se të bëjë demagogjinë e tij të radhës, Sali Berisha duhet t’u shpjegojë shqiptarëve arsyen pse fatura e energjisë elektrike është shtrenjtuar kaq shumë. Pse çmimet e shportës, si vaji, sheqeri, frutat dhe perimet janë bërë të papërballueshme? Sali Berisha duhet t’u thotë pensionistëve çfarë duhet të bëjnë më parë me pensionet qesharake që marrin: të paguajnë ilaçet, që rimbursohen gjithmonë e më pak, apo të paguajnë faturën e ujit, që po shtrenjtohet bashkë me faturën e energjisë? Kryeministri i Ruzhdies le të vizitojë minatorët në Bulqizë, të cilët nuk pati kurajën t’i presë në zyrën e tij, e le t’u shpjegojë atyre pse i ka prerë në besë dhe ende sot nuk u ka dhënë statusin dhe pensionin e premtuar”, - u shpreh Shalësi. Duke vijuar me problematikën që ka sot vendi, Shalësi ka deklaruar se Berisha duhet të bëjë një ndalesë në Orikum e të përballet me gratë, nënat dhe motrat, që edhe sot, më 8 Mars, detyrohen të protestojnë për pronën.

PS-ja për buxhetin

Beqja: Berisha mashtroi shqiptarët në vitin 2009

Partia Socialiste e cilëson buxhetin e qeverisë si të pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e shtresave në nevojë të popullatës. Deputeti kësaj partie Ilir Beqja u shpreh dje se sa më shumë analizohet ky buxhet, aq më shumë del në pah sa e gënjeshtërt ka qenë propaganda qeverisë gjatë gjithë vitit 2009. Ai theksoi se votuesit shqiptarë janë mashtruar me rritje pagash e pensionesh dy muaj para zgjedhjeve. “Sali Berisha e ka ditur që në fillim se propaganda e tij ishte mashtrim, prandaj më 28 qershor zbatoi skemën e Ruzhdieve. Duke u dëshmuar sot shqiptarëve të vërtetat e realizmit të buxhetit të shtetit për vitin 2009, ne do të provojmë se sa antisocial ka qenë ky buxhet”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, pasqyrat fiskale të Ministrisë së Financave mbahen të fshehura, ashtu si e vërteta e kutive të 28 qershorit. “Në vitin 2009 shpenzimet për paga janë 5% më të ulëta se në vitin 2008. Këtu përfshihen edhe pagat e 38 mijë arsimtarëve, të cilëve Sali Berisha sot duhet t’u kërkojë falje, sepse mezi mbajti vetëm gjysmën e premtimit që do t’u dyfishonte pagat. Në vitin 2009 shpenzimet për pagesën e papunësisë u rritën vetëm me 5% kundrejt vitit 2008, ndërsa numri i të papunëve është rritur dhe INSTAT-i raporton prej disa muajsh se ushqimet janë shtrenjtuar 7%”, - u shpreh Beqja.

Feston 8 Marsin në Turqi

Topalli: Sfida jonë të mos dorëzohemi asnjëherë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topallit, mori pjesë dje në samitin ndërkombëtar për të drejtat e grave në Turqi si e ftuar e kryeministrit Erdogan. Sipas një njoftimi të zyrës së Kuvendit, samiti “Të drejtat e gruas bashkojnë Lindjen dhe Perëndimin” mblodhi gra lidere nga gjithë bota, deputete e senatore nga Spanja, Danimarka, Paksitani, Suedia, rajoni i Ballkanit, Lindjes së Vogël e të Mesme për të shkëmbyer eksperiencat e tyre në përballje me mendësitë, traditat, paragjykimet, sfidat. Në fjalën e saj në këtë Samit Kryetarja e Kuvendit tha: “Nga tryezat në familje dhe deri në tryezat e vendimmarrjes duhet të luftojmë për të garantuar çfarë na takon për zotësi apo inteligjencë, për aftësi apo potecial të dhënë nga Perëndia. Në çdo çast duhet të përpiqemi të

sfidojmë kohën. Është sfida jonë e përditshme për demokraci në shtëpi, në treg dhe në shtet, është sfida jonë e përditshme për të mos qenë një shërbëtore në

familje, për të mos qenë një shërbëtore e shoqërive tona, që na lidh ne gratë Lindje-Perëndim. Në fund të kësaj dite secila prej nesh merr me vete një udhërrëfyes për iniciativa konkrete dhe një axhendë për të arritur barazi gjinore dhe tok me to moton tonë “Të mos dorëzohemi asnjëherë”, - tha Topalli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›