E Diel, 1 Nëntor 2026

Urimi i kryeministrit/Berisha: Dita e Verës, festa jonë më e lashtë

15-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha uroi shqiptarët dje, veçanërisht qytetarët e Elbasanit për festën e Ditës së Verës. Nëpërmjet një mesazhi të postuar në faqen e tij Facebook, Berisha e konsideron këtë festë si më të lashtën në historinë tonë.
“Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj së pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera. Uroj shëndet, lumturi mbarësi dhe suksese për të gjithë!”, thuhet në urimin e kryeministrit Berisha, të postuar në faqen e tij në Facebook.
Gjithashtu, kryeministri e shoqëroi urimin edhe me një rrëfenjës për fëmijërinë e tij dhe Ditën e Verës.
“Në fëmijëri ne e festonim shumë Ditën e Verës. Për një javë rresht me moshatarët e mi mblidhnim dëllinja dhe shkurre, ngrinim një mullar sa më të lartë me to dhe më datë 6 prill (Dita e Verës në Tropojë) në darke ndiznim zjarrin gjigant, vraponim nëpër tymin e tij dhe më vonë, kur na e mbante, edhe mbi prushin e tij. Gjella tradicionale e shijshme e asaj nate gatuhej me këmbët e pastërmasë që thaheshin gjatë dimrit dhe ruheshin vetëm për atë darkë. Një ditë, 34 vjet më parë në Paris, tek prisja autobusin, befas profesori me të cilin punoja ndali makinën dhe më ftoi të shkonim direkt për drekë në shtëpi. E shoqja, ndonëse e pa njoftuar, na priti me shumë njerëzi. Shtroi drekën dhe rastisi që kishte gatuar këmbë pastërmaje, kuptova se i serviri pak e sikletosur, por kur unë i tregova se këmbët e pastërmasë ishin gjella më e nderuar në festën tonë më të lashtë ajo nuk e përmbajti gëzimin. Kjo ishte dita ime e Verës në korrikun e vitit 1979 në Paris. Gëzuar!”, përfundon rrëfenja e Kryeministrit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›