Uruguai-Kore dhe SHBA-Ganë, sfida e surprizave për një çerekfinale
Ndeshja e parë e turit të 1/8-ave të finales së Botërorit 2010 do të jetë sfida e sotme mes Uruguait dhe Koresë së Jugut. Uruguai e prenotoi vendi i tij pas dy fitoresh dhe një barazimi në grupin A, ndërsa Koreja e Jugut u kualifikua nga Grupi B pas një fitoreje, një humbjeje dhe një barazimi. Amerikanojugorët vijnë në këtë ndeshje si favoritë, edhe duke e ditur se nuk janë mundur kurrë nga Koreja në 4 ndeshjet e mëparshme: 3 fitore e një barazim. Trajneri i uruguaianëve, Oskar Tabarez, ka bërë të ditur tashmë dëshirën për të ecur sa më lart në këtë kompeticion. Uruguai sot do të luajë me tre sulmues, Kavani, Sueraz e Forlan. Mungon Godin, i dëmtuar në ndeshjen ndaj Meksikës. Në vendin e tij hyn Viktorino. Në fillim pritet një Kore që do të mbrohet, ndërkohë që loja e saj mendohet të mbështetet te kundërsulmet. Për aziatikët kthehet në fushë Cha Du-ri i rikuperuar, ndërsa në sulm do të jetë Park Ji-sung dhe Lee. Ndërkohë që fituesi i kësaj sfide do të ndeshet në çerekfinale me fituesin e çiftit të mbrëmjes së sotme, SHBA-Ganë. Dy skuadrat janë surpriza, pasi as që e kishim menduar se do të mund të kualifikoheshin në grupet përkatëse. SHBA arriti në 1/8 si e para e grupit C falë dy barazimeve dhe një fitoreje, duke lënë pas Anglinë. Gana u rendit e dyta në grupin D falë një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje 0-1 ndaj Gjermanisë. Trajneri Bob Bredli mirëpret rikthimin e Robi Fajndli nga pezullimi dhe do ta aktivizojë atë në sulm. DaMarkus Beasli të ketë një bluzë si titullar, ndërkohë alternativë e tij është Edson Badëll. Për momentin ende nuk është e qartë se kush do të jetë partneri i Altidore në sulm. Ndërsa Gana mund të luajë pas qendërmbrojtësit Vorsah të dëmtuar. Ky i fundit mungoi edhe në ndeshjen e barazuar ndaj Australisë. Lajmi i mirë është aktivizimi në formacionin e parë e Xhon Mensah. Kjo është një sfidë, ku është e vështirë për të thënë se cili do të jetë favorit.
#