E Diel, 1 Nëntor 2026

Trishtimi i Kanavaros: Italia mund ta fitojë Kupën vetëm pas 26 vjetësh

Fabio Kanavaro flet për herë të fundit si kapiten i Kombëtares së Italisë. 24 orë pas eliminimit të turpshëm nga Afrika e Jugut, mbrojtësi shfaqet përpara mediave. Kapiteni i “axurrëve”, që kundër Sllovakisë luajti ndeshjen e fundit me fanellën e përfaqësueses, analizoi dështimin në Kupën e Botës 2010, ndërsa jep alarmin për të ardhmen: “Nëse sistemi nuk ndryshon, rrezikojmë që të bëjmë të tjera paraqitje të dobëta. Kritikat i pranojmë, por ka shumë rëndësi që të nxirren mësime nga kjo që ndodhi. Nevojiten ndryshime, në të kundër Italisë do t’i duhen edhe 26 vjet të tjera për të fituar Kupën e Botës”. Kanavaro shtoi: “Kundër sllovakëve përjetova një prej mbrëmjeve më të këqija në karrierën time. Askush nuk e priste që do të paraqiteshim në këtë mënyrë dhe të eliminoheshim si skuadra e renditur në vendin e fundit në grup. Një rezultat i tillë dhe mungesa e lojës nga ana e skuadrës sonë, natyrisht që ka qenë surprizë. E kishim të qartë prej fillimit që do të ishte shumë e vështirë ta rifitonim Kupën e Botës, por kishim shpresa se do të kualifikoheshim dhe nuk mendonim se mund të eliminoheshim menjëherë. Na mungoi një fitore, pasi ajo do të kishte ndryshuar të gjithë ecurinë tonë”.

Ai foli edhe për presionin e jashtëzakonshëm, i cili ka shkaktuar edhe frikë në radhët e futbollistëve, që nuk arritën të shpalosnin cilësitë e tyre. “Pas ndeshjes së parë, edhe pse barazuam me Paraguain, isha optimist. Ndeshjet e botërorit kanë specifikë të veçantë: nuk ka shumë rëndësi ajo që bën në ndeshjen e parë. Por, fakti që nuk fituam në ndeshjen e dytë përballë Zelandës së Re, ndikoi jashtë mase. Pjesa e parë kundër Sllovakisë ishte pasqyra më e mirë e botërorit të Italisë. Skuadra kishte frikë, pasiguria ishte e dukshme. Ishin 45 minuta shumë të dobëta dhe nuk mjaftoi starti i mirë i pjesës së dytë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Loja? Ndonjëherë varet edhe nga kundërshtari që ke përballë. Në dy ndeshjet e para e kishim të vështirë të gjenim hapësira dhe të krijonim lojë, por kundër Sllovakisë dështuam totalisht. Ajo ishte ndeshja jonë më e dobët. Ishim shumë të tensionuar. Donim të luanim ndryshe, por lojtarët ishin aq të bllokuar, sa që nuk arrinin të lidhnin dy pasime njëra pas tjetrës”, deklaroi mbrojtësi 36-vjeçar, që së fundmi ka firmosur kontratë 2-vjeçare në Emiratet e Bashkuara Arabe me Al-Ahli Dubai. “është e vërtetë që kam qarë dhe nuk më vjen turp ta pranoj, sepse pas 14 vitesh në futboll, një eliminim i tillë të vret. Askush prej nesh nuk e mendonte se mund të shkonte në shtëpi menjëherë pas ndeshjeve në grupe. E kam të vështirë ta shpjegoj atë që ndodhi: situata ndryshoi në mënyrë të papritur, nga kampionë të botës, u bëmë një skuadër që eliminohet në fazën e grupeve. Arsyet e këtij dështimi? Ndoshta sepse Italia u shpall kampione e botës me një skuadër në moshë të madhe dhe nuk arriti të përfaqësohej me të njëjtin grup lojtarësh. Lipi tentoi të bënte disa ndryshime; ndryshe nga vitet e kaluara, u mundua që të sillte diçka të re, por kjo nuk funksionoi. Askush nuk priste që skuadra të kishte rendiment kaq të ulët”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›