E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uruguai, arratiset bosi i fajdeve, Bashkim Driza



I shpëton vëzhgimit të policisë uruguaiane, arratiset bosi i fajdeve, Bashkim Driza. Presidenti i firmës piramidale “Populli”, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 16 vjet heqje lirie me akuzën e mashtrimit, është arratisur nga kryeqyteti i Uruguait, ku mbahej nën “arrest shtëpie”, teksa pritej që të ekstradohej për në vendin tonë. Personi i cili akuzohet se u ka marrë kursimet 304.240 shtetasve në vend, nuk është gjetur nga agjentët e policisë në shtëpinë e tij, teksa ata kishin shkuar të bënin kontrollin e përjavshëm. 50-vjeçari qëndronte në vilën e tij, në periferi të Montevideos. Driza akuzohet se ka arritur që të përfitojë me anë të skemës së mashtrimit rreth 870 milionë lekë nga kursimet e shqiptarëve. Interpol Tirana u kishte kërkuar autoriteteve uruguaiane që të kryenin arrestimin e tij, pasi ai ishte në kërkim nga shteti shqiptar. Ndalimi i tij u bë më 21 shtator të vitit të kaluar, ndërsa midis dy vendeve po përgatiteshin dokumentet për ekstradimin. Midis shtetit shqiptar dhe atij uruguaian nuk ekziston ende një marrëveshje dypalëshe ndërshtetërore për ekstradimin e të burgosurve. Nisur nga kjo, institucionet shqiptare nisën një marrëveshje të posaçme ekstradimi, në bazë të së cilës ai do të këmbehej me një tjetër të kërkuar uruguaian. Por, një procedurë e tillë kërkonte kohë. Gjatë kohës që ai ka qenë nën arrest shtëpie, ka arritur që të organizojë planin për largimin e tij jashtë vendit. Ai kontrollohej nga agjentët e policisë së Uruguait dy herë në javë për zbatimin e masës së sigurisë. Para disa ditësh, kur ata kanë shkuar për të bërë kontrollin e radhës, kanë parë që 50-vjeçari nuk ndodhej në banesë. Menjëherë, ata kanë lajmëruar policinë dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e presidentit të firmës piramidale “Populli”. Por, Driza ka arritur që të largohet dhe ende agjentët nuk kanë asnjë gjurmë të tij.

Zbulimi

Policia shqiptare duket se kishte zbuluar kohë më parë se vendi ku fshihej Driza ishte Amerika Latine dhe gjithashtu kishte zbardhur edhe lëvizjet e tij nga Kili në Republikën Dominikane dhe në Uruguai. Menjëherë pas kësaj ishin kontaktuar shërbimet e Interpolit në këto vende, por burime nga policia thanë se Driza fshihej nën një emër të rremë dhe për këtë arsye nuk ka qenë i lehtë identifikimi i tij. Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët kishte zbuluar ndërkohë se Driza kishte pasaportë të të paktën dy vendeve të Amerikës Latine dhe ndërronte herë pas here vendbanimin.

Arrestimi

Zbulimi i vendndodhjes i ka mundësuar Interpol-Tiranës të kërkojë angazhimin e homologëve të vendeve latine. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të këtij shtetasi, është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon-Kili, Interpol Montevideon-Uruguai dhe Interpol Santo Domingon-Republika Dominikane. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, e gjithë kjo korrespodencë është mbajtur pasi Bashkim Driza njihej nga ana e tyre, sepse ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe dominikane, si dhe kishte lëvizur nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Dominikane dhe anasjelltas. Pikërisht këto lëvizje duket se kanë zbuluar edhe vendndodhjen e fundit të Drizës, ku ai është ndaluar nga policia e Uruguait. Me mesazhin e datës 22 shtator 2008, Policia e Shtetit u informua nga Interpol Montevideo se Bashkim Driza është arrestuar në Uruguai, dhe se ndodhej në masën “arrest shtëpie”, ndërkohë që u kërkua dërgimi i dokumenteve në rrugë diplomatike.

Ekstradimi

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për arrestimin e një prej personave më të kërkuar në vend, i dënuar për vjedhjen e miliona lekëve me anë të mashtrimit, policia është vënë në lëvizje për të mundësuar ekstradimin e tij. Burime të policisë thanë se nga ana e Interpol Tiranës mesazhi i arrestimit i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë, e cila nisi procedurat për ekstradimin e Drizës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›