Gjiknuri: Nuk ka asnjë vendim gjykate që ndalon rinumërimin
Reagimi
Ajo që kërkohet është rinumërimi për efekt hetimi, ose dritë mbi materialet zgjedhore
Kërkesa e Partisë Socialiste për hapjen e kutive ka në thelb rinumërimin e votave. Asnjë gjykatë nuk ka dhënë ndonjë vendim që të mos ketë rinumërim të votave, pasi PS ankimoi në Kolegjin Zgjedhor shpalljen si të pavlefshme të vendimit të KQZ. Si e tillë, duke pasur parasysh që rinumërimi nuk ka qenë pjesë e shqyrtimit gjyqësor e për më tepër nuk është kryer asnjë rinumërim në gjykatë, si e tillë asnjë hetim nuk mund të prishë vendimin e drejtësisë. Me këtë arsyetim ligjor, një prej ekspertëve të ligjit të zgjedhjeve në selinë rozë, Damian Gjiknuri, mbron kërkesën e vazhdueshme të PS për hapjen e kutive, por i kthen edhe një përgjigje mazhorancës se nuk mund të dilet mbi vendimet e gjykatave. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Gjiknuri tha se në themel ajo që kërkohet është rinumërimi për efekt hetimi, që do të thotë hedhja dritë mbi të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si fletëvotimi, lista, procesverbale. Nga pikëpamja juridike, deputeti socialist tha se “duhet të kemi parasysh që PS nuk po kërkon rinumërim për efekt të nxjerrjes së rezultatit apo rishikim të vendimeve administrative/gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Këto vendime kanë marrë formë të prerë, duke bërë që komisioni hetimor të mos jetë rruga ligjore për t’i shfuqizuar”. Ai tha se në themel ajo që kërkohet është rinumërimi për efekt hetimi, që do të thotë hedhja dritë mbi të gjitha materialet zgjedhore që janë në kuti, si fletëvotimi, lista, procesverbale. “Nuk ka asnjë rrethanë ligjore që të pengojë marrjen e këtij informacioni pasi ato janë të gjitha dokumente zyrtare dhe që një pjesë e tyre parashikohen të asgjësohen, duke mos pasur asnjë vlerë të mëtejshme sipas ligjit”, deklaroi deputeti i PS-së.
Por dy ditë më parë, referuar amendamentit që bëri PD në rezolutën e KiE-s u saktësua se hetimi duhet të jetë konform Kushtetutës. Kryeministri Sali Berisha tha se ky sanksionim qartëson se nuk hapen kutitë. “Në rast se do të lihej shprehja siç ishte në projekt, komisioni për të hetuar zgjedhjet, njëra palë mund të thoshte se kjo i përfshin të gjitha. Por në fakt nuk mund t’i përfshijë, sepse ka një limit dhe këto limite i ka përcaktuar Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e vendit. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka autoritetin e plotësimit të Kushtetutës, aty ku Kushtetuta ka paqartësi ose vakum. Vendimi i saj duhet të lexohet gjithnjë si një nen i munguar në Kushtetutë. Ky është rregulli i së drejtës kushtetuese. Nuk po hyj e të flas për termat, por ju garantoj se jam plotësisht dakord me rezolutën”, tha Berisha.
#