E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e shtrenjta çorientojnë pushimet e shqiptarëve



Ervin KOÇI - Duke nisur që nga plazhi i Velipojës në veri të vendit, e deri në Sarandë e Ksamil, të gjithë operatorët turistikë vetëm ankohen. Ndryshe nga një vit më parë ku për faj të situatës para dhe pas elektorale pushimet u vonuan për një muaj, këtë askush nuk di se kujt t’ia vërë fajin. Por në asnjë rast nga ana e operatorëve turistikë vendas, nuk është bërë përpjekja më e vogël për të riparë çmimet, apo për të dhënë ndonjë ofertë më joshëse për pushuesit e pakët. Edhe kosovarët bashkë me shqiptaro-maqedonasit, këtë vit megjithëse kanë qenë si çdo vit tjetër, kanë qenë më të kursyer, ose siç i thonë fjalës, kanë ardhur “me bukë me vete”. Këtë e pohon cilido pronar restoranti dhe hoteli në bregdetin shqiptar, që nga pakënaqësia nuk di se kujt t’i vërë më tepër faj, por në asnjë rast nuk mendon se mund drejtoj edhe gishtin vetes. Çmimet e kripura që këta të fundit mbajnë për çdo shërbim, duke mos i ulur por në kundërt duke i rritur çdo vit nga pak, janë përgjigja më e mirë e mungesës së pushuesve dhe klientëve. Kësaj po t’i shtosh edhe mungesën vende të vende të infrastrukturës turistike, të të mos diturit se si shërbehet apo dhe “flirtohet” me klientin për t’i fituar paratë, të mos njohjes dhe mos dijes të të bërit marketing (reklama dhe oferta), etj., del që edhe kaq pushues sa janë, mund të konsiderohen vërtet shumë. Por përveç operatorëve vendas, këtë vit ndodh që të qahen edhe ata të agjencive turistike që kryesisht lidhjet i kanë me jashtë. Këta të fundit, duke parë që prenotimet këtë vit ishin fare të ulëta (dhe nuk ka se si, pasi i rritën çmimet për të njëjtat paketa me nga 20%), bënë budallallëkun më të madh duke anuluar për shumë destinacione avionët çarter. Pra këtë vit donin të shisnin paketa më të shtrenjta dhe pa përfshirë udhëtimin, ose duke i stërmunduar pushuesit me avionë linje. Por pushuesi nuk po niset për hall, por për qejf. Kështu rezultati ishte një dështim i vërtetë. Shumë pak pushues, shumë pak prenotime, e për pasojë shumë pak fitime.

Anomalitë
Agjencitë turistike krijuar një rrëmujë të vërtetë këtë muaj pasi nuk ditën ose nuk deshën që të koordinonin fluturimet dhe udhëtimet e pushuesve duke i ngatërruar ato me linjat e zakonshme. Nuk ishin të pakët pushuesit nga shumë rrethe të vendit që në 15-ditshin e parë por dhe atë të dytë të korrikut, pasi blenë paketa turistike për në Turqi (Antalia), ose Egjipt, u penduan. Fluturimi në shumë raste bëhej me avionë të linjës, dhe më pas vinin aeroplanët e kompanive turistike për t’i çuar deri në destinacion. Por një pjesë e mirë as nuk mundën të arrijnë ose pësuan vështirësi gjatë kthimit, e për pasojë tani duket se i kanë avazet e hapura me kompanitë turistike që nuk u treguan aspak korrekte me gjithë paratë e shumta që u morën. Kjo erdhi si vijim apo si një modë e shëmtuar nga anomalitë që sollën për turizmin e rajonit kompanitë turistike greke për shkak të krizës dhe grevave. Po çlidhje kishte turizmi drejt Turqisë dhe Egjiptit që bëjnë shqiptarët me kompanitë greke të turizmit elitar? Këtë deri tani nuk ka mundur që ta japë asnjë punonjës agjencie shqiptare, edhe pse u duhet të përballen me ankesat, madje dhe me procese gjyqësore të hapura nga klientët e “keqtrajtuar”. Megjithatë, gushti duket se do të jetë me më shumë lëvizje për sa i përket pushimeve. Por ato që do të përfitojnë këtë muaj duket se do të jenë destinacionet e Malit të Zi, ku këtë vit shumë shqiptarë duket se kanë gjetur rehatinë dhe leverdinë e të bërit pushime në kohëra krize.

Statistikat
Hyrjet valutore nga shërbimet e udhëtimit në periudhën janar-maj të këtij viti u ulën me 50 milionë euro ose me 23.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet e ditur nga statistikat e Llogarisë Korrente të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Hyrjet nga shërbimet e udhëtimit në vend qenë 161 milionë euro për periudhën janar-mars të këtij viti nga 212 milionë euro në periudhën janar-mars 2009. Në të njëjtën kohë, shqiptarët duket se shpenzuan 177 milionë euro në udhëtime jashtë vendit ose 45 milionë euro më pak se një vit më parë. Në sektorin e shërbimeve të udhëtimeve, vendi ynë pësoi një deficit prej 15 milionë eurosh. Deficiti është i zakonshëm për këtë periudhë të vitit. Rënia e madhe në të ardhura duket se lidhet veçanërisht me udhëtimet zyrtare, të cilat vitin e kaluar ishin shumë më të mëdha se këtë vit, për shkak të zyrtarëve apo gazetarëve të huaj që erdhën në vendin tonë për monitorimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Sipas të dhënave të BSH, Shqipëria pati 1.3 miliardë euro të ardhura dhe 1.13 miliardë euro shpenzime nga shërbimet e udhëtimit vitin e kaluar. Të ardhurat u rritën me 10 për qind kundrejt vitit 2008, ndërsa shpenzimet u rritën me 6.7 për qind.

Tjetër/////////////////////////////
Riparimet në tubacionin kryesor, UKT-ja lë qendrën e Tiranës pa ujë

Riparimet e pjesshme që kanë nisur në sistemin e vjetruar të tubacioneve të ujit të pijshëm, kanë lënë këto ditë gjysmën e kryeqytetit pa ujë. Nga këto kufizime nuk kanë shpëtuar as ministrinë dhe kryeministria, të cilat edhe pse nuk dihet se si e kanë zgjidhur mungesën e ujit, duket se do ta vuajnë gjatë atë. Sipas drejtorit të Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizime në Tiranë, Sahit Dollapi, punimet që do të nisin për riparimin e tubacionit kryesor që furnizon me ujë të pijshëm 40 për qind të kryeqytetit, do të shtrihen në një zonë të gjerë. Shkak për riparimin e tubacionit sipas kreut të UKT-së, Dollapi, janë bërë ndërhyrjet e paligjshme në rrjet. Dollapi u shpreh se, “pas një inspektimi që iu bë linjës, u konstatuan ndërhyrjet e paligjshme ndaj dhe u vendos riparimi i menjëhershëm i rrjetit, si dhe shkëputja e lidhjeve të jashtëligjshme”. Sipas Dollapit, "kjo linjë ka rëndësi të madhe. Ajo furnizon 40 për qind të Tiranës më ujë, por nga ana tjetër duhet theksuar se dëmtimi i saj do të kërkonte shumë kohë për t’u riparuar". Por Dollapi mohon faktin e të pasurit kufizime në furnizimin me ujë. Ai theksoi se, “për shkak të riparimit nuk do ketë ndërprerje të furnizimit me ujë për qytetarët, pasi ata do të furnizohen nëpërmjet linjave të tjera”. Kjo linjë furnizon me ujë zonën e Rrugës së Elbasanit, atë të Tiranës së Re, një pjese të qendrës administrative, si dhe Qytetin Studenti. Nga ana tjetër, kreu i UKT-së theksoi se për personat që kanë bërë ndërhyrje të paligjshme në rrjet do ngrihen padi.

Raporti i AMF-së: Tregut i pensioneve private rritet me 41 për qind

Tregu i pensioneve private vullnetare në gjashtë muajt e parë të vitit 2010 është rritur me 41%. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera totale e kontributeve deri në fund të muajit qershor arriti në pak më shumë se 87 milion lekë, nga më pak se 62 milion lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Angazhimi në tregun e pensioneve private të aktorëve të rëndësishëm si “Raiffeisen” është shoqëruar me një rritje të ndjeshme të tregut në raport me bazën e mëparshme, por përsëri tregu ngelet i kufizuar në përmasa. Numri total i të siguruarve në këto skema është më pak se pesë mijë vetë. Më saktësisht, në fund të muajit qershor, regjistroheshin 4658 kontribuues, me një rritje modeste prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për nga vlera e kontributeve, tregu vazhdon të dominohet nga shoqëria “Raiffeisen Pensions”, që në fund të gjashtëmujorit të parë zinte afro 51% të tregut. Megjithatë, “Raiffeisen” shfaqet në rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur zinte 58% të tregut. Në rritje është shoqëria “Capital”, që ka arritur në 32% të tregut, nga 21% që zinte një vit më parë. Në rënie janë edhe shoqëri të tjera, që në fund të muajit qershor zinin 17% të tregut, 3% më pak se një vit më parë. Për sa i takon numrit të kontribuuesve, shoqëria më e madhe në treg është “Capital”, që zë 40% të tregut, e ndjekur nga “Raiffeisen” me 38% dhe “Sigma IPP” me 22%.

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›