E Diel, 1 Nëntor 2026

Lehtësira për biznesin, kasa fiskale mund të blihet dhe me kredi



Ervin KOÇI -Projekti i instalimit të kasave fiskale për të gjitha kategoritë e biznesit, duhet të vazhdojë me çdo kusht. Ky është rekomandimi i Ministrisë së Financave, e cila u kë kërkuar kompanive që ajo ka licencuar që të gjejnë forma dhe mënyra të ndryshme për t’ua lënë në derë kasën bizneseve. Nisur nga kjo, kompania e parë e licencuar nga MF-ja për shitjen dhe instalimin e pajisjeve fiskale, “AED”, ka nënshkruar një marrëveshje me bankën “Raiffeisen” për dhënien e kredive konsumatore për bizneset që kërkojnë të instalojnë kasat. Sipas burimeve nga kjo kompani private e autorizuar nga MF-ja, “marrëveshja nënkupton dhënien e kredive të vogla që nuk e kalojnë shumën e instalimit dhe blerjes së kasës fiskale, për të gjithë ata subjekte biznesi të cilat nuk kanë për momentin mundësi likuiditeti”. Burimet thanë se, propozimi i tyre gjeti menjëherë mbështetjen e bankës “Raiffeisen” e cila u tregua e gatshme për të bashkëpunuar në këtë projekt, i cili padyshim është mbikëqyrur edhe nga Financat që kanë dhënë “Ok”-ein për këtë veprim. Në këtë mënyrë, bie poshtë edhe pretendimi i subjekteve private që thoshin se nuk e përballojnë dot koston e blerjes së kasës fiskale, sa herë që tatimorët shkonin për kontrolle. Që këtej e tutje, çdo biznes mund të shkojë tek kompania që tregton kasat fiskale dhe me një autorizim të sajin mund të tërheqë shumën e parave nga banka “Raiffeisen” e cila ka krijuar mundësinë e pagesës së kësaj kredie me disa këste për një periudhë dy vjeçare.

Asistenca teknike
Sipas përfaqësuesve të kompanive që tregtojnë kasat fiskale, këto pajisje janë elektronike dhe punojnë me burim energjie elektrike, si dhe janë të lidhura me një server qendror i cili është nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në këtë server bëhet edhe hedhja e të gjitha të dhënave ditore dhe mujore nga subjektet që përdorin pajisjet fiskale, ku secila ka kodin e saj. Por si pajisje elektronike, edhe kasat fiskale mund të pësojnë defekte të ndryshme që mund të shkaktohen kryesisht nga burimi i energjisë elektrike, ose nga keq përdorimi. Për të dyja rastet përfaqësuesit e kompanive thonë se janë ata përgjegjës për rregullimin po jo për prishjen e aparaturës. Ata rekomandojnë se në rast defekti, subjekti nuk duhet të ndërhyjë vet për ta riparuar ose ta çojë pajisjen te një subjekt i pa autorizuar për ta riparuar. Edhe sikur kjo të bëhet, rregullimi nuk njihet nga tatimet dhe nga kompania administruese e pajisjes, e për pasojë subjekti që ka në përdorim pajisjen fiskale ndëshkohet me gjobë. Riparuesi i vetëm i kasës fiskale është vetëm kompania që e ka shitur këtë pajisje dhe që kujdeset në bazë të marrëveshjes me MF-në edhe për mirëmbajtjen dhe administrimin e saj. Në rastet e defekteve, subjekti privat njofton kompaninë e mirëmbajtjes për çka ka ndodhur me anë të telefonit dhe është detyra e kësaj të fundit që brenda ditës të dërgojë për riparim teknikun. Është vet kompania e mirëmbajtjes që njofton për këtë edhe DPT-në duke bërë shkëputjen e përkohshme të kodit të subjektit nga rrjeti. Por biznesi që e ka të prishur kasën fiskale, gjatë kohës një ditore që ka mungesën e saj duhet të regjistrojë të gjithë xhiron në regjistrat tatimorë (librat e shitje-blerjeve). Në rast se defekti i pajisjes fiskale zgjat për t’u riparuar, atëherë subjektit i sillet një pajisje zëvendësuese nga vetë kompania por që lidhet me sistemin qendror të serverit në DPT-ë.

Fatura fiskale
Nisur nga fusha e aktivitetit dhe vendndodhja e biznesit, MF-ja përcakton me këtë rast kategoritë që nuk duhen të lëshojnë kupon tatimor. Me VKM-në e fundit, datë 17 shkurt 2010, bizneset që paguajnë tatime mbi të ardhurat nga kryerja e veprimeve për shuma të vogla të të ardhurave neto, me përjashtim të shoferëve të taksive, nuk do të lëshojnë kupon tatimor, sikurse dhe personat që nuk janë tregtarë dhe e realizojnë qarkullimin e produkteve bujqësore dhe të papërpunuara mbi tezga, në tregjet e organizuara, si dhe jashtë merkatove. Përjashtohen nga lëshimi i kuponit edhe kategoria e atyre individëve që japin me qira mjedise biznesi, si dhe ato aktivitete biznesi që ushtrohen në zona të larta malore, me popullim më pak se 300 banorë dhe që janë të ndryshme nga vendet turistike. Një tjetër pikë e vendimit specifikon subjektet që nuk mund të pajisen me kasë fiskale, që janë ambulantët dhe shërbimi i transportit.

Falimenti, dhjetëra biznese mbyllin aktivitetin në qarkun e Fierit

Rritet numri i bizneseve fierake që deklarojnë falimentin, ndërkohë që biznesmenët e rinj po tregohen tepër “të kujdesshëm”. Kalimi i mjaft bizneseve nga të vegjël në të mëdhenj, ka bërë që të shtohet së tepërmi numri i atyre subjekteve që deklarojnë falimentin e që kërkojnë mbylljen e aktivitetit. Deri tani numri i tyre numërohet mbi 500 në të gjithë qarkun. Kreu i QKR-së në Fier, Haxhi Krasniqi, ka deklaruar se kostoja e lartë e jetesës së qytetarëve dhe tregu, kanë qenë ndikuesit kryesorë të natyrës së përzgjedhur nga biznesmenët e rinj. “Qytetarët kanë treguar se po gjejnë rrugë alternative për të siguruar të ardhura dhe punë. Kjo duket te bizneset e çelura gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2010. Të paktën të dhënat që ka QKR-ja tregojnë se janë çelur më shumë biznese sesa janë mbyllur”, - ka thënë Krasniqi. Por kjo deklaratë mund të bjerë ndesh me shifrat që ka dega rajonale e Tatimeve, si dhe Drejtoria e Tatim-Taksave në bashki. Kriza ekonomike ka reflektuar më shumë në natyrën e bizneseve të reja, pasi ato kanë qenë kryesisht pika tregtimi produktesh ushqimore si dhe bar-kafe.

Sot mblidhet Këshilli Mbikëqyrës, BSH-ë do të ul normës bazë në 5 për qind

Banka e Shqipërisë pritet të marrë vendimin për uljen e normës bazë të interesit. Burime zyrtare thanë se, norma bazë e interesit të lekut do të zbresë në 5 për qind. Ky do të jetë niveli më i ulët i 10 viteve të fundit, përveç marsit të vitit 2005. Ky vendim merret për të stimuluar ekonominë dhe për të ulur sadopak koston e borxhit të qeverisë. Ulja e normës synon të ulë koston e parësore në ekonomi duke shpresuar rënien e interesave për kreditë në lekë që bankat japin për biznesin dhe individët. Nga ana tjetër, kjo masë është një sinjal edhe për të nxitur rritjen e kreditimit, i cili është në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Vendimi i BSH-së synon gjithashtu që të ulë sadopak edhe koston e borxhit të qeverisë, i cili në pjesën më të madhe është në lekë dhe me afat më të shkurtër se sa një vit. Ndaj interesat e borxhit të qeverisë ndikohen jo pak nga politika monetare që ndjek Banka Qendrore. Pak kohë më parë ministri i Financave kishte kërkuar publikisht uljen e normës bazë. Por banka e kushtëzoi uljen e normës me tërheqjen e qeverisë nga huamarrja e lartë në tregun e brendshëm dhe uljen e shpenzimeve, sinjal të cilin qeveria e dha me rishikimin e buxhetit. Ekspertët e bankës gjykojnë se tashmë janë pjekur kushtet për të lehtësuar sërish politikën monetare, pasi inflacioni është nën kontroll dhe në treg është rritur oferta e valutës, çka shmang rreziqet për goditje në kursin e këmbimit.

Fasonët preken nga kriza, shkurtohen 11 mijë vende pune

Kriza ekonomike ka goditur thellë biznesin e fasonëve. Në Këshillin Kombëtar të Punës, përfaqësuesit e këtij biznesi kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2008-2009 janë shkurtuar 11 mijë vende pune. Por kriza sociale është edhe më e rëndë, pasi 66.4% e punëtorëve janë shprehur se do të largohen sapo të liberalizohen vizat, pasi një pjesë e madhe e tyre blejnë ushqime me listë, dhe kanë pakësim të ndjeshëm të të ardhurave mujore. Mungesa e investimeve ka bërë që tregut t’i mungojnë këtë vit 133 milionë euro. Në Këshillin Kombëtar të Punës është thënë se skemat e Ministrisë së Punës për nxitjen e punësimit janë jo funksionale dhe shpesh abuzive. Fasonistët kanë kërkuar që për çdo punëtor të ri ata të stimulohen nga ministria përmes fondit që ata kanë në dispozicion. Nga ana tjetër bizneset kanë kërkuar uljen e disa taksave të cilat e bëjnë të vështirë konkurrencën me tregjet e huaja.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 26.07.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.54%
12M 12-mujor 7.04%
6M 6-mujor 6.12%
3M 3-mujor 5.35%
1M 1-mujor 5.16%
1Ë njëjavor 4.94%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.74%
1Ë njëjavor 6.43%
o/n njëditor 6.32%
12M 12-mujor 8.76%
6M 6-mujor 7.83%
3M 3-mujor 7.06%

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›