Kompania “ARMO” dhe telashet që nuk kanë të sosur
Kompania private e prodhimit të naftës në vend “ARMO” duket se nuk i ka mbyllur “kusuret” me shtetin. Kompania para disa vitesh u bë pronë e biznesmenit Rezart Taçi, pas privatizimit nga një konsorcium greko-amerikan. Por vetëm një vit më parë, ajo u bë pjesë e debateve të institucioneve fiskale, për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore. Për kompaninë, u debatua dhe u diskutua gjatë edhe në lidhje me çmimet monopol që ajo po diktonte në tregun e hidrokarbureve, por edhe për abuzimet në cilësinë e produkteve në tregun e pakicës. Nisur nga kjo çështje tepër delikate, Autoriteti i Konkurrencës nisi rreth një vit më parë një hetim intensiv mbi aktivitetin e kompanisë, me pretendimin se kjo e fundit po mbante pozita monopol në tregun e karburanteve, si dhe po kryente abuzime me cilësinë e produkteve që tregtonte. Sekretariati i AK-së prej kohësh kishte kryer procedurat hetimore, duke paraqitur në përfundim të tij “raportin e hetimit të thelluar”. Dhe duket se hetimi i nisur e dha rezultatin e tij. Për kompaninë “ARMO sh.a.” të rafinimit dhe tregtimit të naftës, AK-ja dha një ndëshkim financiar që kapi vleftën e 2.7 milionë dollarëve. Më datën 10 qershor 2010, Autoriteti zhvilloi seancën dëgjimore, ku pala nën hetim paraqiti pretendimet e saj. AK-ja në raportin e përgatitur konstatoi se “mbi bazën e vlerësimit të pozitës dominuese të ndërmarrjes ‘ARMO sh.a.’, në lidhje me analizën e pjesës së tregut që zë kjo ndërmarrje në tregun përkatës lëndë djegëse diesel (D2) për makina dhe makineri, pengesave të hyrjes në treg, konkurrencës potenciale, fuqisë ekonomike të ndërmarrjeve, fuqisë kundërvepruese të blerësve dhe karakteristikat e tjera të tregut përkatës, ka rezultuar se kjo ndërmarrje për periudhën në hetim ka pasur pozitë dominuese në tregun përkatës objekt hetimi”. Në njoftimin zyrtar bërë dy ditë më parë nga AK-ja pohohet se, “sipas evidencave të administruara, ka rezultuar se ndërmarrja ‘ARMO sh.a.’, gjatë periudhës nën hetim ka zbatuar çmime dhe kushte të ndryshme tregtimi për veprime të njëjta tregtare me palët, duke vendosur në kushte të pafavorshme konkurrence ndërmarrjet që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të produktit lëndë djegëse diesel D2”. Për arsyet e mësipërme, në raportin e tij përmbyllës, Komisioni i Konkurrencës njofton se ka vendosur që ndërmarrja “ARMO sh.a.”, për shkak të abuzimit me pozitën dominuese në treg, gjatë kësaj periudhe, të gjobitet në shumën 2.718.807.20 lekë, që përbën 2,6% të xhiros totale vjetore të vitit 2009. Po në këtë vendim deklarohet fakti që për periudhën e përmendur të mbyllen hetimet e thelluara, të nisura me vendimin e Komisionit të Konkurrencës. Komisioni në fjalë autorizon Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë DPT-së që të zbatojë vendimin e AK-së.
28 Korrik 2010