E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria nis betejën kundër zjarreve

Prej disa ditësh, strukturat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me organet e tjera të pushtetit qendror e lokal, janë angazhuar në operacionin për parandalimin dhe shuarjen e  zjarreve që kanë rënë në zona të ndryshme të vendit, si në qarkun e Shkodrës, të Beratit, të Dibrës, të Tiranës  etj.

Edhe gjatë ditës së sotme mjaft trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura janë përfshirë dhe po punojnë për shuarjen e disa vatrave zjarresh që kanë rënë në terrene të vështira dhe më konkretisht:

Në qarkun e Tiranës:

1. Në komunën Dajt, në Qafë Priskë, që në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme janë angazhuar gjithsej 42 trupa të Forcave të Armatosura, prej të cilëve 21 trupa nga Batalioni Special dhe 21 të tjerë nga Batalioni Komando i Forcave Tokësore, si dhe dy mjete të cilat po punojnë për shuarjen e dy vatrave zjarresh që kanë rënë në këtë zonë. Nga informacionet e deritanishme mësohet se një vatër zjarri është izoluar dhe pritet t’i dorëzohet Drejtorisë së Pyjeve Tiranë, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës tjetër.

2. Në Komunën Petrelë, në afërsi të Liqenit të Zi është dërguar një mjet zjarrëfikës dhe një personel prej 7 efektivësh të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit. Operacionin në këtë zonë vazhdon.

3. Në Garnizonin e Forcave Tokësore, poligoni i qitjeve në Zall-Herr, për shuarjen e zjarrit që ka rënë në këtë rajon janë angazhuar 60 forca ushtarake dhe janë vënë në dispozicion tre mjete (dy mjete të tipit Land Rover dhe një e tipit Sterjo), si dhe një mjet zjarrëfikës i BrMR-së (Brigada e Mbështetjes Rajonale). Vatra e zjarrit është e izoluar dhe po vazhdon operacioni për shuarjen e plotë të tij.

Në qarkun e Dibrës:

1. Në komunën Lurë, fshati Pregjë, angazhimi i Forcave të Armatosura ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Zjarri është izoluar dhe situata  është vënë nën kontroll. Në këtë zonë kanë qenë të angazhuar 15 veta dhe një mjet nga KMR-ja, Burrel.

Në qarkun e Shkodrës:

1. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave në komunën Vig-Mnelë që rrezikojnë nga zjarret e rëna janë angazhuar një togë me 30 veta dhe një mjet. Po kështu edhe në komunën Kastrat, Mali i Veleçikut, Fushëzezë, janë angazhuar 30 forca ushtarake dhe një mjet për shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë rajon.
Ndërkaq, komandati Batalionit të Këmbësorisë Malore në Vaun e Dejës, pas sinjalit që ka marrë nga autoritetet e Emergjencave Civile të qarkut Shkodër, rreth orës 15.00 të ditës së sotme ka angazhuar edhe 20 efektiv të tjerë të baralionit dhe një mjet të tipit Iveko, të cilët janë nisur në drejtim të vatrave të zjarrit në komunën Vig-Mnelë, qarku Shkodër.

Vetëm gjatë ditës së sotme Forcat e Armatosura kanë angazhuar 221 forca ushtarake, 11 mjete dhe 2 zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve që kanë rënë në disa qarqe të vendit. Efektivat ushtarake të përfshira në këtë operacion emergjence janë angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve të rëna në këto zona, duke treguar edhe njëherë jo vetëm profesionalizmin e tyre, por edhe përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë për të kryer me disiplinë dhe dinjitet detyrat kushtetuese në shërbim të komunitetit. /Start/

                                                                                             2012-07-23 16:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›