E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrihet sistemi i gjurmueshmërisë

Sistemi i gjurmueshmërisë u prezantua sot në qendrën Kombëtare të Licencimit. Sipas ekspertëve të QKL-së, tashmë çdo subjekt do të mund të ndjekë on-line procedurat për marrjen e një leje apo licence që nga momenti i aplikimit e deri te regjistrimi në regjistrin kombëtar.

Në bazë të sistemit të gjurmueshmërisë, në rast se leja apo licenca duhet t’i përcillet ministrive të linjës për një vendimmarrje, verifikuesi në QKL pasi shikon të gjithë dokumentacionin, nëse janë në formën e duhur e përcjell çështjen nga regjistruesi i QKL-së tek ministria e linjës. Në portal paraqitet statusi i çështjes në momentin që çështja përcillet. Për çdo ndryshim të statusit të çështjes në kohe reale ndryshimet pasqyrohen në portalin elektronik të Qendrës Kombëtare të Licencimit. Personat që kanë aplikuar dhe u është refuzuar çështja e shikojnë në Portal. Nëse duan të riaplikojnë ata do të mund të gjejnë në portalin e QKL-së arsyen se pse iu është refuzuar çështja. Kjo do të thotë se subjektet nuk e kanë të nevojshme të paraqiten në sportelet e QKL-së.

Në rastin kur lejet apo licencat janë aprovuar, Regjistri Kombëtar ka një listë të plotë të të gjithë lejeve apo licencave ekzistuese në territorin e Shqipërisë që janë lëshuar nga QKL. Ekzistojnë mbi 9200 leje e licenca që janë lëshuar që nga 2009 nga QKL dhe çdo person mund të kërkojë për një leje apo licencë dhe të gjejë të gjitha të dhënat që paraqiten në titull. Mund të kërkojë sipas fushave, veprimtarisë, rretheve, qytetit apo qarkut. Në rastin e disa lejeve dhe licencave që kanë disa kushte apo detyrime specifike që duhet të përmbushen përgjatë ushtrimit të aktivitetit që përcaktohen nga ministritë e linjës, këto kushte publikohen në regjistrin  kombëtar të lejeve dhe licencave dhe janë lehtësisht të aksesueshme.

Një nga përparësitë që ofron sistemi elektronik i QKL-së është dhe parimi i miratimit në heshtje. Subjekti aplikon për leje apo licencë dhe institucioni tjetër vendimmarrës kur nuk përgjigjet në kohën e parashikuar nga ligji çështja automatikisht aprovohet në heshtje dhe pasqyrohet edhe në regjistrin kombëtar të lejeve dhe licencave që është i aksesueshëm online. Statusi i aplikimit del "aprovuar me miratim në heshtje". Personat mund të gjejnë informacion para aplikimit për të gjithë dokumentacionin që ju nevojitet për tu pajisur me leje apo licenca, si dhe për të parë në çdo hap se ku është çështja, kush e shqyrton, çfarë vendimi është marrë si dhe arsyet për marrjen e këtij vendimi. /Start/

                                                                                             2012-07-23 15:08
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›