E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria pakistaneze, në qytetin e talebanëve

Përleshje të ashpra po zhvillohen mes talebanëve dhe forcave të armatosura pakistaneze në qytetin Mingora, qyteti kryesor i krahinës së njohur si Lugina Suat, bastion i militantëve islamikë. Sipas të dhënave të servirura nga forcat e armatosura pakistaneze, të paktën 17 ushtarë gjetën vdekjen përgjatë përplasjeve. Ndërsa talebanët nuk kanë lëshuar të dhëna për të vrarë.

Ofensiva në Mingora shihet si një fazë kyçe në kuadrin e përgjithshëm të luftës kundër militantëve, influenca e të cilëve është shumë e fortë, veçanërisht në këtë zonë. Luftimet nisën pas prishjes së një marrëveshjeje armëpushimi gjatë fillimit të këtij muaji. "Kanë nisur luftimet rrugëve", u tha reporterëve gjeneral majori pakistanez Atar Abaz. "Është një operacion shumë i vështirë, pasi duhet të spastrojmë qytetin shtëpi më shtëpi. Kemi arritur të pastrojmë disa zona të saj".

Sipas burimeve ushtarake pakistaneze, mësohet se qyteti është tërësisht i rrethuar, pjesa më e madhe e depove të municioneve të militantëve janë në duart e ushtrisë ose janë shkatërruar, ndërkohë që rrugët e furnizimit janë ndërprerë. Sipas reporterit Shoaib Hasan, korrespondentit të BBC-së në Islamabad, kjo është beteja më e rëndësishme që ushtria po kryen kundër talebanëve në këtë rajon. Ndërsa shton se një fitore e mundshme do ta shtonte më tej mbështetjen e publikut në luftën kundër militantëve.

Eksodi

Një zëdhënës i forcave talebane konfirmoi se ushtria kishte hyrë në qytetin Mingora, por i mohoi të dhënat, sipas të cilave në radhët e talebanëve qenë shënuar të vrarë. I njëjti zëdhënës tha se militantët do të luftonin kundër forcave të sigurisë deri në frymën e fundit. Sipas banorëve të larguar orët e fundit nga qyteti, mësohet se Mingora mbetet ende nën kontrollin e talebanëve.

Sipas Agjencisë për Refugjatët të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 1.5 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë, për shkak të luftimeve në rajonin veriperëndimor, të cilët bëhen 2 milionë bashkë me refugjatët e tjerë, të larguar nga shtëpitë që nga gushti i shkuar. Një banor që la me nxitim qytetin Mingora, tha për BBC-në se ishin të shumtë ata që si ai kishin humbur gjithçka. "Shtëpitë tona u shkatërruan - lamë prapa gjithçka zotëronim. Ecëm në këmbë për të ardhur këtu dhe na u deshën dy ditë të tëra". Të premten, Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi një fond ndihme prej 543 milionë dollarësh në formën e asistencës ndërkombëtare për t‘u ardhur në ndihmë njerëzve që kanë lënë shtëpitë prej konfliktit.

Ushtria pakistaneze e nisi ofensivën kundër talebanëve më 2 maj, në çastin e shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit të talebanëve, të cilët kundrejt paktit vazhduan të shtrinin zonën e influencës. Mësohet se vetëm pak pjesë të Luginës Suat kontrollohen nga qeveria pakistaneze. Sipas burimeve të forcave të armatosura pakistaneze, 15 mijë trupa të sigurisë po luftojnë kundër 4 mijë deri 5 mijë militantë talebanë. Po sipas burimeve të ushtrisë, bëhet me dije se më shumë 1 mijë militantë dhe rreth 50 ushtarë kanë gjetur vdekjen që nga nisja e ofensivës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›