E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtrimi i profesioneve mjekësore, detyrim kryerja e praktikës

23/03/2011  Rregullorja me kushtet për profesionet e shëndetit

Licencimi i mjekut, stomatologut, farmacistit e infermierit pas kryerjes së praktikës e provimit të shtetit

Kryerja e praktikës profesionale do të jetë kusht për t’u përfshirë në provimin e shtetit, rezultatet pozitive të të cilit do të licencojnë edhe të drejtën e ushtrimit të profesioneve të shëndetit, që klasifikohen si profesione të rregulluara. Tashmë është hartuar edhe rregullorja me kushtet që duhet të plotësohen për të marre një licencë, e cila lejon ushtrimin e profesionit të mjekut, stomatologut, farmacistit dhe të personelit tjetër shëndetësor. Kështu, para se të hyjnë në provimin e shtetit, të gjithë këta kandidatë duhet të kryejnë praktikën profesionale, që synon përvetësimin efektiv të njohurive praktike, teknike dhe etike të profesionistit, i garanton atij aftësitë e domosdoshme dhe përgjegjësinë publike për ushtrimin e pavarur të profesionit. Periudha kohore e praktikës profesionale është jo më pak se 9 muaj për praktikantin mjek dhe stomatolog, jo më pak se 6 muaj (përfshi dhe praktikën e programit të formimit të kryer në përfundim të studimeve të vitit të fundit) për praktikantin farmacist, si dhe jo më pak se 3 muaj për praktikantin infermier dhe profesionistë të tjerë të këtij rangu. Periudha e praktikës për profesionistin që ka mbi pesë vjet shkëputjeje nga ushtrimi i profesionit është jo më pak se 3 muaj. Kështu, fillimisht të gjithë kandidatët duhet të regjistrohen pranë Urdhrit Profesional (urdhër që klasifikohet sipas profesionit) për të konfirmuar kryerjen e praktikës. Ky institucion në bashkëpunim me stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit shtetëror dhe universiteteve të akredituara harton dhe miraton programin e praktikës. Sipas përcaktimeve të bëra, praktika profesionale kryhet në institucionin shëndetësor që plotëson standardet e domosdoshme për realizimin e kërkesave dhe përvetësimin e njohurive praktike, teknike dhe etike të praktikantit. Ky proces zhvillohet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar dhe që ka ushtruar profesionin në mënyrë të ligjshme dhe të pavarur për një periudhë mbi tre vjet. Gjithashtu është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë që të përcaktojë dhe miratojë listën e institucioneve të akredituara që kanë të drejtë të pranojnë praktikantë. Ndërkohë pranë Urdhrit Profesional hartohet dhe shpallet lista e profesionistëve që kanë të drejtë të udhëheqin dhe mbikëqyrin kandidatët gjatë kryerjes së praktikës profesionale. Megjithatë, ky i fundit ka të drejtë të zgjedhë institucionin dhe profesionistin udhëheqës të praktikës nga emrat e aprovuar. E gjithë procedura finalizohet me lidhjen e kontratës tip të praktikës profesionale ndërmjet kandidatit, Urdhrit Profesional, kontratë në të cilën pasqyrohen të drejtat dhe detyrimet e palëve dhe që nënshkruhet midis udhëheqësit të praktikës dhe praktikantit. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale kandidati që provon se për një periudhë të caktuar, në përputhje me kriteret specifike të profesionit që i përket, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›