E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta ankohet në gjykatë për pavlefshmëri të videos

22/03/2011  Lideri i LSI-së nis betejën ligjore me akuzën, kërkon rrëzimin e përgjimeve

TIRANE-Në një kohë kur Prokuroria ka konsideruar si provë kryesore video-përgjimin Meta-Prifti, si dhe ka zhveshur nga imuniteti dy deputetët, lideri i LSI-së ka ndërmarrë nismat e para procedurale, për të hedhur poshtë provën kryesore të akuzës. Nëpërmjet një kërkese të bazuar në nenin 151/4 të K.Pr.P Ilir Meta kërkon nga gjykata papërdoshmërinë e video skandalit, gjë e cila nëse do të ndodhë pritet të sjellë menjëherë pushimin e çështjes penale, që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur kundër tij. Mësohet se kërkesa në fjalë është depozituar nga avokatët mbrojtës të Metës, ndërsa pritet që shorti që do të hidhet ditën e mërkurë, të përcaktojë edhe kolegjin gjykues që do të merret me shqyrtimin e saj. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë pretendohet se kjo provë është marrë nga organi i akuzës, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe si e tillë nuk duhet të merret parasysh. Më tej në kërkesë thuhet se kryerja e ekspertizës mbi vërtetësinë e videos është kryer në kundërshtim me rregullat e Kodit të Procedurës Penale, pasi në atë periudhë ish-ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka pasur imunitet. Sipas nenit 151/4 parashikohet se provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren. Më tej sqarohet se kërkesa për papërdoshmërinë e provave materiale ngrihet dhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit. Duke shfrytëzuar këto hapësira ligjore, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkon të mbyllë shumë shpejt “hesapet” me Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë daljeve publike Ilir Meta ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u hetuar nga organi i akuzës, por në të njëjtën kohë ai ka theksuar se do të kryejë një betejë ligjore, për të mbrojtur pozicionin e tij, nga sulmet politike të bëra nga subjekte të caktuara. Ky është hapi i parë ligjor që Meta ndërmerr kundër provave hetimore të Prokurorisë, e cila aktualisht është duke vazhduar hetimet, me qëllim zbardhjen plotësisht të video-skandalit mes dy ish-ortakëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Këta dy të fundit shfaqen në një video teksa bashkëbisedojnë për disa emërime në administratë, çështjen e “Alpetrolit”, si dhe një pazar prej 700 mijë eurosh, që lidhej me dhënien e lejes koncesionare për ndërtimin e një hidrocentrali. Nga kryerja e ekspertizës në një studio private në Amerikë rezultoi se video e përgjuar nga një orë që ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e mbante në zyrë, ishte e vërtetë. Mirëpo ajo që eksperti nuk mundi të qartësojë, ishte biseda konkrete që ishte kryer në këtë video, duke pretenduar se ai nuk ka kushtet dhe mjetet e nevojshme për të zbardhur bisedën, si dhe largimin e zhurmës së videos. Pavarësisht kësaj, Prokuroria i kërkoi Kuvendit të hiqte imunitetin e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, pasi ky i fundit dyshohet si autor i veprës penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të niveleve të larta.

Neni 151/4 K.Pr.P

Sipas nenit 151/4 parashikohet se provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren. Më tej sqarohet se kërkesa për papërdoshmërinë e provave materiale ngrihet dhe kryesisht në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.

Të mërkurën

Pritet që ditën e nesërme, Gjykata e Lartë të hedhë shortin lidhur me përcaktimin e gjyqtarëve që do shqyrtojnë kërkesën e Ilir Metës, i cili kërkon rrëzimin e video-skandalit të shumë përfolur. Në qoftë se kërkesa miratohet atëherë hetimi hyn në udhëkryq.

Video skandali nr.2

Pas publikimit të video-përgjimit mes Metës dhe Priftit, eksperti amerikan nxori në dritë dhe një video të dytë, ku shfaqej Dritan Prifti dhe ish-zv/ministri Leonard Beqiri, duke ndarë një shumë prej rreth 70 mijë eurosh. Kjo video detyroi Prokurorinë të ngrite akuzë edhe për dy zyrtarët e lartë shtetërorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›