Vrasja e emigrantit në Berat, autori shfaq pendesë në polici
BERAT - Një ditë pas vrasjes së emigrantit të sapoardhur nga Greqia, Përparim Mahmutaj shfaq pendesë për krimin. Sipas policisë, 41-vjeçari është shprehur se ishte trembur nga ndjekja me makinë e dy personave, ndaj kishte qëlluar. Ai ka dyshuar se ata mund të hakmerreshin pas ngjarjes që ndodhi mëngjesin e së shtunës ku gjatë xhirimit të gomave të makinës, u ciflosën nga disa gurë xhamat e mjetit të dy emigrantëve. Viktima, Erjon Toska, baba i një fëmije dhe vëllai i tij, Besjan Toska e kanë ndjekur autorin që të sqaroheshin, pasi ai nuk kishte ndaluar në vend për të kërkuar ndjesë apo edhe dëmshpërblyer xhamat e prishur. Kur i janë afruar shtëpisë së Mahmutajt, ky i fundit ka dalë nga mjeti tip "Pontiac" me targa amerikane dhe qëlloi dy herë me armë 28-vjeçarin. Dy plumba në kokë i morën atij jetën e menjëhershme, ndërsa tentativa e të vëllait për ta çuar në spital me shpresë për ta shpëtuar ishte e kotë. Grupi i hetimit e ka marrë Mahmutaj për disa orë në pyetje, por ai ka këmbëngulur në vërtetësinë e deponimeve të tij pa lënë hapësira për dyshime të tjera në lidhje me motivin e kësaj ngjarjeje. Në fakt, edhe vetë burimet policore bënë të ditur se ngjarja nuk ka për motiv konflikte të mundshme të vjetra, por ka qenë e çastit. d.xh