E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Zotohem se në mandatin e dytë, Shqipëria do jetë një nga vendet e para në botë për klimën e biznesit

-          Reformat kanë prodhuar ndryshime rrënjësore pozitive për klimën e biznesit në vend

Duke analizuar, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit në rajon, Kryeministri Berisha tha se në dy vitet e ardhshme, Shqipëria do të jetë një nga vendet e para në botë për klimën e biznesit.

“Filozofia jonë ekonomike, - u shpreh Kryeministri - është filozofi suksesi, që bazohet në lirinë dhe vlerat e saj, në lirinë e tregut dhe të iniciativës së lirë. Kjo filozofi gradualisht po e nxjerr Shqipërinë në çati dhe unë zotohem se jo më larg se viti i parë i mandatit të ardhshëm, nëse shqiptarët na e besojnë atë, Shqipëria do të jetë një nga vendet më të para në botë për klimën e biznesit. Dhe këtë nuk e them për qëllim elektoral, por sepse të gjitha këto përpjekje, rezultatet maksimale do t’i kenë vitin që vjen dhe në atë pasardhës.”

Kryeministri theksoi se arritjes së këtij objektivi do t’i vijë në ndihmë edhe digjitalizimi i plotë i procedurave.

“Sikundër e konstatova gjatë vizitës në Estoni, asgjë nuk përjetëson klimën e biznesit, sesa procedurat elektronike, të cilat duhet të jetë universale dhe jo përkatësi e grupeve të caktuara. Aktualisht, ne jemi shumë më para në shumë tregues të tjerë, sesa ishte Estonia, e cila qëndron në çatinë e botës për klimën e biznesit. Gjatë vitit që vjen, ne kompletojmë e-procedurat (procedurat elektronike), por rezultati i tyre do të jetë në vitin e parë të mandatit të dytë, në rast se qytetarët shqiptarë do të vendosin për këtë. Kjo është në dorën e tyre dhe unë jam i vendosur ta respektoj, megjithëse unë e njoh faktin se shqiptarët më besojnë mua dhe po kështu më beson komuniteti ndërkombëtar, por kjo është diçka tjetër,  se çështja e besimit nuk është çështje ligjesh.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›