E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË, NË SHKOLLËN E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UNIVERSITETI EVROPIAN I TIRANËS”

V E N D I M

PËR

HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË DYTË,  NË SHKOLLËN E LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “UNIVERSITETI EVROPIAN I TIRANËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44/2, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.Lejimin e shkollës së lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, me seli në Tiranë, për të ofruar programe studimi, të ciklit të dytë.

2.Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, do të ofrojë programe studimi, të ciklit të dytë, të cilat do të realizohen me, së paku, 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale, 2 vite. Në  përfundim të studimeve do të lëshohet diplomë E nivelit të dytë (DND), në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimit të ciklit të dytë do të ofrohen me kohë të plotë, në fushat:

a) “Financë – bankë”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Banka dhe tregje financiare ose Ekonomi-financë.
b) “Administrim biznesi”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Biznes marketing, Administrim publik ose Ekonomi evropiane.
c) “Shkenca politike”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Politikë e krahasuar ose Teori politike.
ç) “Marrëdhënie ndërkombëtare”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Organizata ndërkombëtare ose Studime strategjike.
d)  “Komunikim – Marrëdhënie publike”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Studimet dhe teoritë e komunikimit ose Marrëdhënie publike.
dh)  “E drejtë publike dhe ndërkombëtare”.
  e) “E drejtë private dhe biznesi”, që mund të ofrohet edhe në profilet: E drejtë private ose E drejtë e biznesit.
 
3.Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, do të ofrojë edhe programet e studimeve, “Master i nivelit të parë” (MNP), që synojnë arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional. Këto programe studimi do të realizohen me, së paku, 60 kredite e me kohëzgjatje normale 1 vit. Në përfundim të këtyre studimeve do të lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në fushën e arsimimit dhe të trajnimit të kryer. Programet e studimeve “Master i nivelit të parë” do të ofrohen në fushat:

a) “Menaxhim biznesi”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Menaxhim i SME-ve, Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe karrierës ose institucioneve dhe Administrim publik.
b) “Banka dhe sigurime”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Banka, sigurime ose politika fiskale.
c) “Marketing”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Shërbime dhe turizëm, Inovacion dhe tregje strategjike ose Marketing bankar e financiar.
ç) “Drejtësi”, sipas profileve: E drejtë administrative, E drejtë ndërkombëtare ose E drejtë evropiane.
d) “Gazetari”, sipas profileve: Gazetari televizive ose Gazetari për çështje politike.
dh) “Marrëdhënie publike”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Sektori komercial ose politik dhe institucionale.
e) “Shkenca politike”, sipas profileve: Sjellja dhe strategjitë politike ose Politika publike.
ë) “Marrëdhënie ndërkombëtare – diplomaci”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Çështjet e Ballkanit ose Studime amerikane.
f)  “Studime evropiane”, që mund të ofrohet edhe në profilet: Politika në BE ose Ekonomia në BE.

4. Ngarkohet shkolla e lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga personel akademik, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.

5. Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 2 e 3, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

6. Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

7. Shkolla e lartë universitare private, “Universiteti Evropian i Tiranës”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit të këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

8. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›