E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR KONTRATAT JASHTË QENDRAVE TË TREGTIMIT

V E N D I M 

PËR

KONTRATAT JASHTË QENDRAVE TË TREGTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 61, të ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorit”,  me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Kontratat jashtë qendrave të tregtimit, mbështetur në nenet 34 e 35, të ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorit”, rregullohen sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë vendim.

2. Dispozitat e pjesës VI, të kreut I, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, do të zbatohen edhe për kontratat:

a) furnizimit me mallra ose shërbime, përveç atyre, për të cilat konsumatori ka kërkuar vizitën e tregtarit, me kusht që, kur e ka kërkuar vizitën nuk dinte ose, në mënyrë të arsyeshme, nuk mund të dinte, se furnizimi me këto mallra ose shërbime të tjera ishte pjesë e veprimtarisë, tregtare apo profesionale, të tregtarit;
b) për të cilat është bërë një ofertë nga konsumatori, sipas kushteve të ngjashme me ato të parashikuara në pikën 1, të nenit 34, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, pavarësisht nëse, konsumatori është i lidhur ose jo nga oferta e tij, përpara pranimit të ofertës nga tregtari.

3. Njoftimi me shkrim, i dhënë nga tregtari për konsumatorin, për të drejtën e heqjes dorë nga kontrata, sipas pikës 3, të nenit 35, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, përfshin emrin dhe adresën e personit, ndaj të cilit mund të ushtrohet kjo e drejtë. Njoftimi ka të shënuar datën dhe të dhëna të veçanta, që mundësojnë identifikimin e kontratës. Konsumatorit i jepet njoftim:

a) me një dokument të veçantë, që përmban vetëm këtë njoftim, dhe të ndarë nga kushtet e përgjithshme të kontratës, nëse ka të tilla.
b) përpara lidhjes së kontratës ose në kohën e ofertës, së bërë nga konsumatori.

4. Njoftimi i konsumatorit për heqjen dorë nga kontrata bëhet me shkrim dhe ka të shënuar datën. Njoftimi dërgohet në adresën e treguar nga tregtari, përpara mbarimit të afatit, prej 14 ditësh kalendarike.

5. Dëshmia e dërgimit të njoftimit, sipas pikës 4, të këtij vendimi, është provë e mjaftueshme, për të vërtetuar jo vetëm se është bërë njoftimi i duhur, por edhe datën, kur ai është bërë.

6. Nëse konsumatori ushtron të drejtën e heqjes dorë, sipas pikës 1, të nenit 35, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, malli, i cili është objekt i kontratës, i kthehet tregtarit brenda 5 ditëve, duke filluar nga data në të cilën konsumatori ka njoftuar tregtarin për vendimin e tij, për heqjen dorë. Çdo shumë e paguar nga konsumatori për mallrat ose shërbimet kompensohet nga tregtari brenda 15 ditëve, duke filluar nga e njëjta datë.

7. Kur çmimi i mallrave ose i shërbimeve është plotësisht a pjesërisht i mbuluar nga një kredi, të dhënë nga tregtari ose nga një person tjetër, dhe ka një lidhje të ngushtë tregtare ndërmjet kredidhënësit dhe tregtarit, marrëveshja e kredisë anulohet, pa shpenzim dhe penalizim për konsumatorin, nëse konsumatori ushtron të drejtën e tij, të heqjes dorë.

8. Ngarkohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›